Puka Ekoturistike
From Wikipedia, the free encyclopedia
Rrethi i Pukës shtrihet në qendër të Shqipërise Veriore, në një mjedis ku ndërthuren malet me luginat e thella, mbulesa të dendura pyjore me sipërfaqe të eroduara, lëndina e livadhe të cilat ndërpriten nga lumenj e përrenj të shumtë, kroje me ujë të kulluar ushqyer nga dëbora e shumtë që shpesh zbardh deri në verë. Këtu jeton një popullsi vitale, e shpërndarë në gjithë territorin, me një histori të pasur, që dëshmohet nga prania e qendrave arkeologjike, kalatë, gjurmët e mureve ilire, shpellat si edhe me një kulturë shpirtërore që shprehet në traditat e zakonet, në kënget e vallet popullore aq të bukura të kësaj treve.
Ky mozaik i mjedisit natyror e njerzor të Pukës përbën një ofertë turistike të veçantë, mjaft të përshtatshme për shëtitje, ski, alpinizëm, gjueti sportive (të peshkut, shpendëve dhe kafshëve të egra) dhe për veprimtari të tjera rekreative, çlodhëse e argëtuese.