Shahu
From Wikipedia, the free encyclopedia
Shahu (nga persisht شاه Šāh "mbreti") është lojë strategjike për dy lojtarë, e luajtur mbi një tabelë katrore (e quajtur fusha e shahut) e cila është e ndarë në 64 kuti, në formën 8x8. Një lojë që luhet nga miliona njerëz në mbarë botën, shahu besohet ta ketë zanafillën nga loja indiane e quajtur chaturanga, diku pak para shekullit të VII-të. Shahu arriti në Evropë nga Persia dhe Arabia nga shekulli i 9-të, për shkak të pushtimit nga myslimanët të Gadishullit Iberik.
Loja nuk ka informacion të fshehur. Secili lojtar fillon me nga 16 gurë: një mbret, një mbretëreshë/damë, dy torra, dy kuaj, dy oficerë/fila dhe tetë ushtarë. Çdo figurë kryen levizje të ndryshme në fushë dhe figura më e fuqishme është mbretëresha dhe ajo më pak e fuqishme është ushtari. Qëllimi është zënia mat e mbretit të kundërshtarit duke e vendosur nën një kërcënim ta pashmangshëm. Deri sa të arrihet në këtë pikë (njohur si shah-mat), gurët e një lojtari përdoren për të sulmuar dhe marrë (ose eliminuar) gurët e kundërshtarit. Gjatë lojës, lojtarët mundohen të bëjnë shkëmbime të leverdisshme figurash si dhe të gjejnë mundësi për të përmirësuar pozicionin e gurëve në fushë. Përveç se me shah-mat, një lojtar mund të fitojë nëse kundërshtari dorëzohet ose nëse loja është me kohë, nëse atij i mbaron koha. Gjithashtu ka disa mënyra ku loja përfundon në barazim.