Dëbimi i shqiptarëve
From Wikipedia, the free encyclopedia
Dr. Vaso Čubrilović ka qenë këshilltar i regjimit monarkist gjatë Luftës së Dytë Botërore, pastaj ministër, akademik, drejtor i Institutit të Ballkanologjisë dhe anëtar i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë pas Luftës së Dytë Botërore.
Ky artikull është i dyshimtë për nga vërtetësia, është i parregulluar, ndodhet nën titullin jo përkatës ose nuk i përmbahet rregullores mbi shkronjat shqipe. Prandaj, derisa të rregullohet, nuk mund të merret si i saktë. |
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. Ju lutemi ndihmoni edhe ju në përmirësimin e këtij artikulli.
|
Memorandumi i tij "Dëbimi i shqiptarëve" që iu paraqit qeverisë mbretërore të Stojadonoviç-it më 7 mars 1937, ka shërbyer dhe shërben edhe sot e kësaj dite si platforma kryesore për spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë.
Problemi i shqiptarëve në jetën tonë kombëtare dhe shtetërore nuk është ngritur dje. Ai ka luajtur një rol madhor në jetën tonë në Mesjetë, por rëndësia e tij bëhet edhe më vendimtare në fund të shekullit të XVII-të, në kohën kur masa të popullit serb u zhvendosën në veri të territoreve të tyre stërgjyshore të Rashkës dhe u zëvendësuan nga malësorët shqiptarë. Këta të fundit gradualisht zbritën nga malet e tyre poshtë në fushat pjellore të Metohisë dhe Kosovës. Duke depërtuar në veri, ata u shpërndanë në drejtimin e Moravës së jugut dhe të perëndimit dhe, duke kaluar Malet e Sharrit, zbritën drejt Pologut dhe, që këtej, në drejtim të Vardarit. Në këtë mënyrë, aty nga shekulli i XIX-të, u formua një trekëndësh shqiptar, një pykë me bazën në boshtin Dibër-Rogozna që u fut thellë në territoret tona, duke arritur Nishin, dhe i ndau territoret tona të vjetra të Rashkës, Maqedonisë dhe Luginës së Vardarit.
Kjo pykë shqiptare e banuar nga elementët anarkistë shqiptarë pengonte çdo lidhje të fortë kulturore, arsimore dhe ekonomike midis territoreve tona veriore dhe jugore në shekullin e XIX-të. Kjo ka qenë arsyeja kryesore pse Serbia ka qenë e pastabilizuar, deri në vitin 1878, kur ajo mundi të vendoste dhe të mbante lidhje të vazhdueshme me Maqedoninë përmes Vranjës dhe Malit të Zi të Shkupit, të ushtronte influencën kulturore dhe politike në Luginën e Vardarit. Kjo gjë pritej të ndodhte për shkak të lidhjeve të favorshme gjeografike dhe rrugore dhe traditave historike në këto zona. Megjithëse bullgarët e kanë filluar jetën e tyre shtetërore më vonë se serbët, në fillim ata patën sukses më të madh. Kjo shpjegon përse ka ngulime të përhershme sllavësh të jugut nga Vidini në veri deri në Ohër në jug. Serbia filloi të këpuste copa të kësaj pyke shqiptare që gjatë rebelimit të parë, duke dëbuar banorët shqiptarët që ishin më në veri nga Jagodina.
Falë koncepteve të gjera shtetërore të Jovan Ristiçit, Serbia këputi një copë tjetër të kësaj pyke pas aneksimit të Toplicës dhe Kosanicës. Në këtë kohë, rajonet midis Jastrebacit dhe Moravës jugore qenë spastruar në mënyrë radikale nga të gjithë shqiptarët.
Nga viti 1918 e këtej ka qenë detyra e shtetit tonë të tanishëm të shkatërrojë mbeturinat e këtij trekëndëshi shqiptar. Ai nuk e bëri këtë gjë. Ka disa arsye për këtë, por ne do të përmendim vetëm më të rëndësishmet prej tyre :
1. Gabimi kryesor i autoriteteve në fuqi në atë kohë është se, duke harruar se ku ndodheshin, ata deshën t’i zgjidhnin të gjitha problemet madhore etnike të Ballkanit të turbulluar dhe të gjakosur me metodat Perëndimore. Turqia solli në Ballkan zakonet e Sheriatit, sipas të cilave, fitorja në luftë dhe pushtimi i një vendi të jep të drejtën e jetës dhe të pronës mbi subjektet që e banojnë. Bile edhe të krishterët e Ballkanit mësuan nga turqit se jo vetëm pushteti dhe sundimi shtetëror, por edhe shtëpijat e pronat janë të fituara apo të humbura si shpërblim. Koncepti i raporteve të pronësisë private mbi tokën në Ballkan u zbut në një farë shkalle nëpërmjet ligjeve, urdhëresave dhe marrëveshjeve të tjera ndërkombëtare të lëshuara nën presionin e Evropës, por ky koncept ka qenë në një farë shkalle leva kryesore e shtetit turk dhe e shteteve të Ballkanit deri në ditën e sotme. Nuk kemi nevojë t'i referohemi një të kaluare të largët. Ne do të përmendim vetëm disa raste të kohëve të fundit, shpërnguljen e grekëve nga Azia e Vogël në Greqi dhe të turqve nga Rumania në Turqi. Ndërsa të gjithë shtetet e Ballkanit që nga viti 1912 i zgjidhën ose janë në rrugën e zgjidhjes së problemeve të pakicave kombëtare me anë të shpërnguljeve masive, ne kemi mbetur në metodat e ngadalshme dhe të ngathëta të kolonizimit gradual. Rezultatet e kësaj kanë qenë negative. Që kjo është kështu e tregojnë më së miri statistikat nga 18 distriktet që përfshijnë trekëndëshin shqiptar. Nga këto shifra del se në këto krahina shtimi natyral i popullsisë shqiptare është më i madh se rritja totale e popullsisë sonë nga shtimi natyral plus banorët e rinj (nga 1921 deri më 1931 popullsia shqiptare u rrit 68.060, ndërsa ajo serbe tregon një rritje prej 58.745, një diferencë prej 9.315 vetësh në dobi të shqiptarëve). Duke marrë parasysh karakterin e vështirë të shqiptarëve, rritjen e theksuar të numrit të tyre dhe vështirësitë gjithnjë në rritje të kolonizimit me metodat e vjetra, me kalimin e kohës ky çpërpjestim do të bëhet edhe më i madh dhe eventualisht do t'i japë fund kolonizimit tonë që nga viti 1918 e këtej.
2. Bile edhe metoda e kolonizimit gradual nuk u aplikua si duhet. Akoma më keq, në një problem kaq të rëndësishëm, nuk ka pasur një plan të përcaktuar shtetëror, në të cilin do të aderonte dhe të cilin do ta aplikonte çdo qeveri dhe regjim. Puna është bërë me ndërprerje, me hope, çdo ministër i ri çbënte atë që kishte bërë parardhësi, ndërkohë që vetë nuk krijonte asgjë të qëndrueshme. Qenë shpallur ligje dhe rregullore, por edhe ashtu të dobëta, siç ishin ato nuk zbatoheshin. Disa persona, sidomos deputetë nga krahina të tjera, kur nuk arrinin të siguronin mandatin në krahinën e tyre, shkonin në jug dhe merrnin me të mirë elementët jo nacionalë për të siguruar mandatin, duke sakrifikuar në këtë mënyrë interesat kombëtare dhe shtetërore. Aparati i kolonizimit ishte jashtëzakonisht i kushtueshëm, i fryrë dhe i ngarkuar me njerëz që ishin jo vetëm inkompetentë, por shpesh ishin pa skrupull, kështu që veprimtaria e tyre përbën vërtet një problem të veçantë. Më në fund, mjafton të mbledhim shumat e mëdha që ka investuar shteti për kolonizimin dhe ta pjesëtojmë rezultatin me numrin e familjeve të vendosura, për të provuar se sa e kushtueshme ka qenë vendosja e një familjeje të re që kur ka mbaruar lufta, pa marrë parasysh nëse këto shpenzime janë bërë nga kolonët vetë apo nga shteti. Po ashtu, do të jetë interesante të krahasojmë shumat e paguara për shpenzimet personale dhe ato për materialet e përdorura nga kolonizimi ynë. Serbia ndaj këtij problemi ka patur qëndrime krejt të ndryshme në të kaluarën. Karageorge gjatë kryengritjes së parë, sikundër Milloshi, Mihajllo dhe Jovan Ristiç nuk kanë patur një ministri të veçantë për reformën e tokës, inspektorë të përgjithshëm të tokës ose ndonjë aparat të kushtueshëm.
3. Madje edhe ato pak mijë familje që u vendosën pas luftës nuk u ngulën aty ku ishin vendosur. Ka patur më shumë sukses në Kosovë, sidomos në Luginën e Llapit, ku Toplicanët hynë nga veriu në jug. duke u marrë vesh vetë midis tyre. Ngulimet tona më të vjetra dhe më të qëndrueshme, me elementë nga krahinat tona të ndryshme, u vendosën pikërisht atje. Në Drenicë dhe Metohi ne nuk patëm sukses. Kolonizimi nuk duhej të ishte bërë kurrë vetëm me malazezët. Nuk mendojmë se ata janë të përshtatshëm si kolonë për shkak të plogështisë së tyre baritore. Kjo mund të thuhet vetëm për gjeneratën e parë. Gjenerata e dytë është krejt tjetër, më aktive dhe më praktike. Fshati Petrovo në Miroc, sipër Danubit, fshati më i avancuar në Krahinë, është i banuar pa përjashtim me malazez. Sot në Serbi ka mijëra biznese të përparuara, sidomos në Toplicë dhe Kosanicë, që kanë qenë krijuar nga malazezët, të cilët janë përzier me elementë më të përparuar. Kjo vlen sidomos për Metohinë, ku zakonet e vjetra, duke qenë të bazuara direkt në origjinën e tyre stërgjyshore, kanë mundur të mbijetojnë. Një vizitë në kafenetë e Pejës është e mjaftueshme për të bindur çdo njeri për këtë. Kjo është arsyeja përse kolonizimi ka patur kaq pak sukses në të gjithë Metohinë. Duhet pranuar, nga ana tjetër, se këto koloni ishin vendosur shumë keq, në një tokë jopjellore, të mbuluar me shkurre, dhe mbi të gjitha pa asnjë agregat të domosdoshëm bujqësor. Këtyre kolonive u duhej dhënë më shumë ndihmë se të tjerave për shkak se ishin të përbëra nga elementi më i varfër malazez.
4. Padyshim, shkaku kryesor që kolonizimi ynë pati pak sukses në këto rajone është fakti se tokat më të mira mbetën në duart e shqiptarëve. E vetmja rrugë e mundshme për kolonizimin tonë masiv të këtyre rajoneve është t'u marrim tokën shqiptarëve. Pas luftës, në kohën e rebelimit dhe të veprimtarisë së kryengritësve, kjo do të mund të arrihej lehtë duke dëbuar një pjesë të popullsisë shqiptare në Shqipëri, duke mos legalizuar uzurpimin e tyre dhe duke blerë kullotat e tyre. Këtu ne duhet të kthehemi përsëri tek gabimi i madh i konceptit tonë të pasluftës lidhur me të drejtën e posedimit të tokës. Në vend që të përfitonim nga koncepti i vetë shqiptarëve lidhur me pronësinë e tokës që ata kishin uzurpuar (vështirë që ndonjëri prej tyre të ketë pasur tapi të dhëna nga turqit, përveç për tokat e blera, për të keqen e shtetit dhe kombit tonë), ne jo vetëm i legalizuam të gjitha këto uzurpime, por ç'është më e keqja i mësuam shqiptarët me idetë evropiano-perëndimore lidhur me pronësinë private. Më përpara ata as që mund të kishin ide të tilla. Në këtë mënyrë, ne u dhamë vetë atyre një armë për të mbrojtur veten, për të mbajtur tokat më të mira për veten dhe për ta bërë të pamundshëm nacionalizimin e një prej rajoneve më të rëndësishme për ne.
Nga e gjithë kjo del se metodat e politikës sonë të kolonizimit në jug deri në ditën e sotme nuk kanë dhënë rezultatet që ne do të duhej të kishin arritur dhe të cilat po na imponohen vetiu si domosdoshmëria më e madhe shtetërore.