Krerët e Shtetit Shqiptar
artikull-listë e Wikimedias / From Wikipedia, the free encyclopedia
Që nga themelimi më 28 nëntor 1912, Shqipëria ka provuar disa modele qeverisjeje, përfshirë protektoratin ndërkombëtar, monarkinë, regjimin një-partiak si dhe republikën parlamentare. Gjatë kësaj periudhe funksioni i Kreut të Shtetit është ushtruar në forma të ndryshme.
Më 1912 u krijua qeveria e parë me Ismail Qemalin në krye. Ai përmbushte edhe kompetencat e Kreut të Shtetit, ndërsa më 6 shkurt 1914, Konferenca e Ambasadorëve emëroi Princin Wilhelm Wied monark të Principatës së Shqipërisë.
Në periudhën shtator 1914 – janar 1920, Shqipëria u bë shesh lufte duke ndërruar disa qeveri. Roli i kreut të shtetit u mbulua nga qeveri-regjenca të ndryshme.
Më 8 janar 1920 Kongresi i Lushnjës, zgjodhi Këshillin e Lartë prej 4 vetash (Kryeregjent Aqif Pashë Elbasani, Imzot Luigj Bumçi, Mihal Turtulli, Abdi bej Toptani), i cili do të kryente funksionet e kreut të shtetit. Duke rikthyer parlamentarizmin në vitin 1924 Fan Noli u zgjodh kryetar i qeverisë, duke ushtruar edhe funksionet e kreut të shtetit.
Pas ndryshimeve të shpeshta në qeverisje, më 31 janar 1925 Asambleja Kombëtare miratoi formën republikane të regjimit dhe votoi Ahmet Zogun si President të Republikës. Më 1 shtator 1928 Shqipëria u shpall Monarki dhe Ahmet Zogu u shpall Mbret i Shqipëtarëve. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia në prill 1939 dhe bashkimit të kurorave të dy vendeve, Viktor Emanueli III u bë Mbret i Shqipërisë. Vitet 1943-1944 nën pushtimin gjerman rikthejnë qeverisjet-regjenca.
Përfundimi i luftës së Dytë Botërore dhe çlirimi i Shqipërisë më 1944 u shoqërua me zgjedhjet e para parlamentare të dhjetorit vitit 1945 dhe me kalimin e funksionit të Kreut të Shtetit në organ kolegjial, si Presidium i Kuvendit Popullor. Në periudhën 11 janar 1946 – 12 dhjetor 1990, gjatë të cilës Shqipëria udhëhiqej nga komunistët, funksionet e Kreut të Shtetit u kryen nga Omer Nishani (10 janar 1946 - 1 gusht 1953), Haxhi Lleshi (1 gusht 1953 - 22 nëntor 1982) dhe Ramiz Alia (22 nëntor 1982 – 22 shkurt 1991). Më 22 shkurt 1991 u krijua Këshilli Presidencial i drejtuar nga Ramiz Alia, i cili i ushtroi funksionet deri më 30 prill 1991.
Më 30 prill 1991 me zgjedhjen e Presidentit të parë të Republikës parlamentare nga ana e një parlamenti shumëpartiak, krijohet Institucioni kushtetues i Presidentit të Republikës.