League of Legends
From Wikipedia, the free encyclopedia
League of Legends ( LoL ) (shqip: Liga e Legjendave) zakonisht njihet si League, është një videolojë arenë beteje shumëlojtarëshe në internet(MOBA) e vitit 2009 e zhvilluar dhe publikuar nga Riot Games . Të frymëzuar nga Defense of the Ancients, një hartë e personalizuar për Warcraft III, themeluesit e Riotit u përpoqën të zhvillonin një lojë të pavarur të të njëjtit zhanër. Që nga publikimi i tij në tetor të 2009ës, League ka qenë pa pagesë dhe kompania fiton para përmes mjeteve të cilat mund tu përshtaten personazheve të lojës . Loja është e shkarkueshme në sistemet e operimit Microsoft Windows dhe macOS .
Në lojë, dy ekipe prej pesë lojtarësh secili luftojnë kundër njëri-tjetrit, secili ekip zë dhe mbron gjysmën e tij të hartës. Secili lojtar kontrollon një personazh, të njohur si "kampion" (ang. champion), me aftësi të veçanta dhe stile të ndryshme të lojës. Gjatë një ndeshjeje, kampionët bëhen më të fuqishëm duke mbledhur pikë përvoje, duke fituar ar dhe duke blerë artikuj. Të gjitha këto janë me qëllim mposhtjen e ekipit kundërshtar. Në fushëbetejën kryesore të Ligës, Summoner's Rift, një ekip fiton nëse futet në bazën e armiqve dhe shkatërron Nexus-in e tyre, i cili është një strukturë e madhe e vendosur brenda bazës.
League of Legends ka marrë vlerësime përgjithësisht pozitive; kritikët theksuan aksesueshmërinë, dizajnet e personazheve dhe vlerën e prodhimit. Jetëgjatësia e lartë e lojës ka rezultuar në një rivlerësim kritik, me vlerësime që kanë prirje pozitive; Sjellja negative dhe abuzive e lojtarëve të saj, e kritikuar që në fillesat e lojës, vazhdon pavarësisht përpjekjeve të Riotit për ta rregulluar problemin. Në vitin 2019, League arriti kulmin me tetë milionë lojtarë të rregullt njëkohshëm dhe popullariteti i saj ka çuar në krijimtari të tilla të lidhura me lojën si video muzikore, libra komikë, tregime të shkurtra dhe seriali i animuar Arcane .
E konsideruar si një nga videolojërat më të arrira ndonjëherë, League of Legends është esporti më i madh në botë, loja ka një skenë konkurrence ndërkombëtare të përbërë nga liga të shumta rajonale. Megjithatë loja arrin kulmin në Kampionatin Botëror vjetor të Ligës së Legjendave . Ngjarja e 2019ës u ndoq prej mbi 100 milionë shikueve unikë, duke arritur kulmin me një shikueshmëri të njëkohshme prej 44 milionë gjatë finaleve . Ngjarjet e brendshme dhe ndërkombëtare janë transmetuar në faqet e internetit të transmetimit të drejtpërdrejtë si Twitch, YouTube, Bilibili dhe në kanalin sportiv të televizionit kabllor ESPN .