Sulejman Dibra
aktor shqiptar / From Wikipedia, the free encyclopedia
Sulejman Dibra është aktor shqiptar.
Sulejman Dibra ka lindur më 9 shtator të vitit 1943 në qytetin e Shkodrës. Pas mbarimit të studimeve të larta në Shkollën e Lartë për Aktor “Aleksandër Moisiu” në Tiranë, në vitin 1966 rikthehet në qytetin e Shkodrës për të punuar si aktor profesionist në Teatrin “Migjeni” të këtij qyteti. Në vitin 1969 do të transferohet në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) në Tiranë. Me këtë teatër ka interpretuar në shumë pjesë, si “Arturo Ui” e Bertold Brehtit, “Toka jonë” e Kolë Jakovës, “Prefekti” e Besim Levonjës etj.
Në kinematografi ka interpretuar në 13 role. Roli i tij i parë do të jetë ai partizanit të plagosur në filmin Komisari i dritës. Më tej do të interpretonte rolin e Kiços,agjentit 13 në filmin Njësiti guerril, rolin e Sotir Filipit “Kasketa” në filmin Operacioni Zjarri, rolin e drejtorit të shkollës në filmin Tinguj lufte, rolin e gjeneralit turk në filmin Nëntori i dytë etj. Roli i tij më i fundit do të jetë në vitin 2009, roli i Myrtezait në filmin Ne dhe Lenini.
Ka dhënë mësim në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) në degën e aktrimit.
I martuar me pianisten Anita Tartari. Kanë një vajzë, Enin, e cila duke ndjekur rrugën e artit është sot një pianiste e talentuar dhe e njohur në botë.
Për meritat e tij artistike, në vitin 2006 Sulejman Dibra është vlerësuar me Urdhrin "Naim Frashëri i Artë"