Dhimitër Berati
politikan shqiptar From Wikipedia, the free encyclopedia
Remove ads
Dhimitër Berati ose Demetrio Berati (Korçë, 15 tetor 1886 - Romë, 8 shtator 1970) ka qenë nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, politikan dhe diplomat shqiptar. Më 1937 qe drejtues i grupit që nxori librin dyvëllimësh "Shqipnija më 1937", ndërsa vepra e tij me dy volume "Shqipëria" mbeti në dorëshkrim.
Remove ads
Biografia
U lind në Korçë më 15 tetor 1886, me preardhje nga Berat. Studimet e larta i kreu në Fakultetin e Shkencave Politiko-Administrative dhe në Fakultetin e Drejtësisë të Bukureshtit. Pas vitit 1904 ishte ndër veprimtarët kryesorë të kolonisë shqiptare të Rumanisë. U kthye në atdhe më 1907 dhe punoi si mësues i gjuhës shqipe dhe drejtor i shkollës së natës.
Në nëntor 1912 organizoi mbledhjen e Bukureshti, ku u zgjodh delegat i kolonisë në Kuvendin e Vlorës[1] dhe iu bashkua grupit të Ismail bej Qemalit.[2] Më pas qe drejtor i gazetës "Përlindja e Shqipniës" dhe sekretar i misionit diplomatik të Ismail Qemalit. Në vitet 1913 - 1914 qe kryeadministrator i spitaleve të Shqipërisë. Më 1914 emigroi sërish në Rumani.
Më 1921 - 1922 u caktua këshilltar legate në Paris. Më 1922 sekretar i parë i Ministrisë së Punëve të Jashtme, dhe nga ai vit deri më 1924 në krye të Drejtorisë Politike të ministrisë. Në korrik të 1924 qe zëvendësisht sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Naltë. Më 1924 - 1925 u caktua kryekonsull në Sofie dhe në vitin 1926 iu rikthye detyrës së sekretarit të legatës. Më 1929 - 1932 ricaktohet në krye të Drejtorisë Politike të Ministrisë së Punëve të Jashtme, më 1932-34 sekretar i përgjithshëm i ministrisë, më 1934 - 1936 ministër i Ekonomisë Kombëtare dhe zëvendësisht ministër i Arsimit. Më 1936-37 rikthehet sekretar i përgjithshëm i MPJ dhe nga 1937 deri më 1939 qe ministër i Shqipërisë në Romë. Mbetet më pas në listat e Zyrës së Likuidimit.
Nga 1940 ishte anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare.[3] Në kabinetin Kruja, u caktua ministër i Kulturës Popullore në vitet 1941 - 1943.[1]
Gjatë periudhës 1943-1944, qeveria shqiptare e ngarkoi me një shumë të hollash që t'ua shpërndante shqiptarëve nevojtarë në kryeqytetin italian. Shërbim që e bëri me mjaft kursim, duke shpërndarë ndihma të vogla. Një ditë, pjesën e mbetur, si mori honorarin e tij deri çastin e fundit, ia dorëzoi Kadri Hoxhës. Shumë e cila u vu menjëherë në përdorim të propagandës për formimin e celulës komuniste të Milanos.[4]
Në prag të vendosjes së plotë të regjimit komunist u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Romë, ku shkroi mjaft artikuj në revistën "Shêjzat" drejtuar nga Ernest Koliqi. Ndërroi jetë në qytetin e amshuar më 8 shtator 1970.[1]
Remove ads
Referime
Wikiwand - on
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Remove ads