Agnosticizmi
From Wikipedia, the free encyclopedia
Agnosticizmi është pikëpamja se ekzistenca e Zotit, hyjnores apo e të mbinatyrshmes është e panjohur ose e panjohshme . Një përkufizim tjetër i dhënë është pikëpamja se "arsyeja njerëzore është e paaftë të japë argumente racionale te mjaftueshme për të justifikuar besimin nëse Zoti ekziston ose jo." [1]
Biologu anglez Tomas Henri Haksli (Thomas Henry Huxley) shpiku fjalën "agnostik" në vitin 1869 dhe tha: "Kjo thjesht do të thotë se një njeri nuk duhet të thotë se njeh apo beson në diçka për të cilën nuk ka baza shkencore që ta njohë apo besojë."
Mendimtarët e hershëm, megjithatë, kanë shkruar vepra që promovonin këndvështrime agnostike, të tillë si: Sanxhaja Belat'haputa (Sanjaya Belatthaputta), një filozof indian i shekullit të 5-të p.e.s., i cili shprehte agnosticizëm për jetën e përtejme (pas vdekjes) dhe Protagoras, një filozof grek i shekullit të 5-të p.e.s., i cili shprehte agnosticizëm rreth ekzistencës së "Zotave".
Pyetja "a ka Zot?" do të përgjigjet nga agnosticizmi përkatësisht jo me "po" ose "jo", por me "nuk është e njohur", "nuk është e përgjigjëshme" ose me "s`ka rëndësi". Ai paraqet një botëvështrim, që në veçanti thekson kufizimin (cakun) e dijes (diturisë) njerzore. Nga pikëpamja e tij e njohurive të pamjaftueshme, agnosticizmi hedh poshtë dhe s`pranon një besim në qënësinë apo mos qënësinë e perëndive.
Në dallim me trajtën e fuqishme të ateizmit, agnosticizmi nuk përjashton në parim tërësisht mundësinë e qënësisë (ekzistencës) së një Qënijeje Hyjnore. Agnostika është vendosur kështu si këndvështrim i tretë midis teizmit dhe ateizmit. Por në këtë kuptim agnosticizmi ka të përbashkëta edhe me teizmin, se besimi në Zot është i mundshëm, edhe atëherë kur mohon mundësinë arsyetore të njohjes së Zotit.
Agnosticizmi është doktrina ose parimi i agnostikëve në lidhje me ekzistencën çdo gjëje përtej fenomeneve materiale ose njohjen e një "Kauze Parësore" apo të një Zoti. Gjithashtu duhet theksuar se agnosticizmi nuk është një fe.