Intelektuali
person që merret me të menduarit dhe arsyetimin kritik / From Wikipedia, the free encyclopedia
Intelektual është një term me prejardhje nga latinishtja intellectualis që do të tregojë intelektin. Sot intelektual zakonisht konsiderohet ai që ka një përgatitje të veçantë në një fushë të shkencës, të teknikës, të kulturës a një formim të gjerë arsimor e edukativ dhe që merret kryesisht me punë mendore, njeri i punës mendore, që ka të bëjë me mendjen, me arsyen e me gjykimin, që i përket intelektit; mendjes.[1]
Sipas Aristotelit identifikoheshin si intelektuale ato virtyte që bënin pjesë në shkencë, njohuri, art dhe punë mendore, e që i lejonin shpirtit të arrijë të vërtetën. Në kushtet dhe rrethanat bashkëkohore një intelektual zakonisht është një eseist, publicist, apo kritik, kryesisht një humanist, i cili shpreh pikëpamjet e tij kritike për çështjet sociale dhe politike, si pjesëmarrës i debateve dhe folës në media. Nganjëherë termi përdoret vetëm për intelektualë të angazhuar publikisht në profesionet liberale, dhe gjetkë për studiues dhe profesorë universitarë në shërbime akademike të angazhuar edhe në debate publike.
Termi intelektual në kuptimin më të gjerë i referohet një personi që dallon nga të tjerët me inteligjencë ose arsim dhe edukim, domethënë ai ka aftësi intelektuale të cilat i përdor për qëllime profesionale dhe publike. Në kuptimin më të ngushtë, termi nënkupton çdo person që kryen një vepër të veçantë intelektuale si pjesë kryesore e veprimtarisë ose profesionit të tij. Në një kuptim edhe më të ngushtë, intelektuali është një person i cili, për shkak të aftësisë së tij intelektuale, gëzon një reputacion, domethënë është një autoritet në fusha të caktuara të jetës shoqërore, siç është kultura apo shkenca. Ndonjëherë intelektualët trajtohen si një shtresë ose grup specifik shoqëror. Në këtë rast, termi më i zakonshëm për intelektualët është inteligjencia. [2] [3] [4]