Kodi Morse
From Wikipedia, the free encyclopedia
Kodi Morse është një lloj alfabeti, ose sistem komunikimi me telegraf, i cili përbëhet nga pika dhe viza të bashkërenduara në grupe, që ju përgjigjen shkronjave ose numrave të caktuar (karaktere alfanumerike), krijuar nga Samuel Morse.
Kjo është një metodë për transmetimin e informacioneve tekstuale si seri e toneve, dritave ose klikimeve që mund të kuptohen direkt nga një dëgjues i aftësuar ose nga një vëzhgues pa pajisje speciale. Kodi ndërkombëtar i Morsit kodon alfabetin latin themelor, disa shkronja ekstra të alfabetit latin, numrat arab dhe një set të vogël të shenjave të pikësimit dhe sinjaleve procedurale si sekuencë e standardizuar e sinjaleve të shkurtra dhe të gjata të quajtura “vija” dhe “pika”.[1] Për shkak se shumë gjuhë kanë më shumë se 26 shkronja romake, kodi Morsi ka shprehje që kodojnë shkronjat shtesë.
Secili karakter (shkronjë ose numër) është i paraqitur si sekuencë unike e vijave dhe e pikave. Kohëzgjatja e vijës është sa tri herë kohëzgjatja e pikës. Secila pikë ose vijë është e përcjellë nga një heshtje e shkurtër, e barabartë me kohëzgjatjen e një pike. Shkronjat e një fjale ndahen nga një hapësirë e barabartë me tre pika (ose një vijë), dhe fjalët ndahen nga një hapësirë e barabartë me shtatë pika. Kohëzgjatja e pikës është njësi baze e matjes së kohës në transmetimin e kohës.[1] Për të rritur shpejtësinë e komunikimit, kodi u projektua per cdo karakter ne perpjesetim te zhdrejte me frekuencën e dukurisë në anglisht. Kështu shkronja më e zakonshme në anglisht, shkronja “E”, ka kodin më të shkurtër, një pikë të vetme.
Në raste emergjente, kodi Mors mund të dërgohet me improvizim metodash të “ndezjes” (on) dhe “fikjes” (off), duke e bërë atë metoden më të thjeshte dhe më të shkathet të telekomunikacionit. Sinjali më i zakonshëm është ai i SOS-it me tre pika, tre vija dhe tre pika, i njohur ndërkombetarisht me marrëveshje.