Perikliu
From Wikipedia, the free encyclopedia
Perikliu (rreth 495–429 p.e.r, Greqisht: Περικλῆς, që do të thotë "i rrethuar nga lavdia") ishte një burrë shteti, orator dhe gjeneral i rëndësishëm me ndikim në Athinë gjatë Epokës së Artë—më hollësisht, periudha midis luftërave Persiane dhe Peloponeziane. Ai kishte prejardhje, nga mamaja, nga familja Alkmeonide.
Perikliu | |
---|---|
Lindur më | rr. 495 pr.K Athinë, Greqi |
Vdekur më | 429 pr.K (rr.. 65 – 66 vjeç) Athinë, Greqi |
Në aleancë me | Athinase |
Grada | Gjeneral (Strategos) |
Betejat/luftrat | Beteja në Sikion dhe Akarnani (454 p.e.r) Lufta e Dytë e Shenjtë (448 p.e.r) Dëbimi i barbarëve nga Galipoli (447 p.e.r) Lufta Samiane (440 p.e.r) Rrethimi i Bizantit (438 p.e.r) Lufta e Peloponezit (431–429 p.e.r) |
Perikliu pati aq shumë ndikim në shoqërinë athinase, saqë Thukididi, historian i kohës së tij, e quajti "qytetarin më të lartë të Athinës". Perikliu e ktheu Lidhjen e Delosit në një perandori athinase dhe i udhëhoqi bashkëqytetarët e tij gjatë dy viteve të para të Luftës së Peloponezit. Periudha gjatë së cilës ai udhëhoqi Athinën, nga 461 në 429 p.e.r, ndonjëherë njihet si "Epoka e Perikliut", megjithëse periudha e përmendur mund të përfshijë edhe kohë më të herëta, si Luftërat Persiane, ose deri aq vonë sa shekulli që pasoi.
Perikliu ngriti artet dhe letërsinë; kjo qe një arsye kryesore pse Athina mbajti reputacionin e të qenit qendra edukative dhe kulturore e botës greke të lashtë. AI filloi një projekt ambicioz për ndërtimin e shumicës së strukturave mbijetuese në Akropol (duke përfshirë dhe Partenonin). Ky projekt e zbukuroi qytetin, nxori në pah lavdinë e tij dhe i dha punë njerëzve.[1] Më tej, Perikliu e rriti kaq shumë demokracinë athinase, saqë kritikët e quajnë atë një populist.[2][3]