![cover image](https://wikiwandv2-19431.kxcdn.com/_next/image?url=https://upload.wikimedia.org/wikipedia/commons/thumb/f/ff/Stema_e_Bashkis%25C3%25AB_Elbasan.svg/langsq-640px-Stema_e_Bashkis%25C3%25AB_Elbasan.svg.png&w=640&q=50)
Emblema - Bashkia Elbasan
From Wikipedia, the free encyclopedia
Emblema e Bashkisë së Elbasanit është emblema e qytetit të Elbasanit.
![Thumb image](http://upload.wikimedia.org/wikipedia/commons/thumb/f/ff/Stema_e_Bashkis%C3%AB_Elbasan.svg/200px-Stema_e_Bashkis%C3%AB_Elbasan.svg.png)
Emblema e qytetit u miratua më 8 tetor 1996, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të qytetit. Ajo është skicuar nga piktori-skenograf Sadik Kasa dhe emblema përcakton lashtësinë e qytetit, traditën në lëmin e dijes dhe të arsimit dhe gjelbërimin elbasanas. Lashtësia përfaqësohet me kalanë e Elbasanit. Kalaja tipizohet me portën, që nga populli thirret “Porta e Kalasë” dhe bedenat e saj. Porta e kalasë është funksionale dhe njihet si pikë referimi arkeologjike, letrare, muzikore. Tradita në lëmin e dijes dhe të arsimit në Emblemë, përfaqësohet me librin e hapur në themelet e kalasë, duke paraqitur dhe shkallët e dijes. Ngjyra jeshile në Emblemë përfaqëson gjelbërimin, që s’mbaron dimër e verë, pasi kultivohen pemët, lulet, ullirin që krijojnë “Gjerdanin e gjelbër” rreth e qark qytetit. Për miratimin e Emblemës “ELBASANI” u organizuan dy ekspozita me 45 emblema, u dhanë mendime në gazetat lokale dhe ato kombëtare, u shkëmbyen mendime dhe u dhanë alternativa të ndryshme[1]. Në fund u vendos të përzgjidhej kjo Emblemë.