Haridvari
vendbanim / From Wikipedia, the free encyclopedia
Haridwar (shqiptimi:ˈhʌrɪˌdwɑ:) shqiptimi audio (help·info) i shkruar edhe Hardwar është një qytet i lashtë dhe bashki në distriktin e Haridwarit në shtetin indian të Uttarakandit. Lumi Gang, pasi rrjedh për 253 km nga burimi i tij në Gaumukh në kreshtën e Akullnajës Gangotri, hyn në Ultësirat Indo-Gangetike të Indisë Veriore për herë të parë në Haridwar, që i jep qytetit emrin e tij të lashtë Gangadvara.
Haridwari konsiderohet si një nga shtatë qytetet më të shenjta (Sapta Puri) të hinduve. Sipas Samudra manthan-it,[1] Haridwari bashkë me Ujjainin, Nashikun dhe Prayagën (Allahabadi) është një nga katër vendet ku ranë pikat e Amritas, eliksirit të pavdekësisë, të derdhura aksidentalisht nga ena ndërsa mbaheshin nga shpendi qiellor Garuda. Kjo manifestohet në festën Kumbha Mela, që zhvillohet çdo 12 vjet në Haridwar. Gjatë Haridwar Kumbh Melas, në Haridwar mblidhen miliona pelegrinë, besimtarë dhe turistë për të kryer banjën rituale në brigjet e lumit Gang për të larë mëkatet e tyre dhe për të arritur mokshan. Brahma Kundi, vendi ku ranë pikat e Amritas, është i vendosur në Har ki Pauri (që do të thotë "gjurmët e zotit"), që konsiderohet ghati më i shenjtë në Haridwar.[2]
Haridwari është qendra administrative dhe qyteti më i madh i distriktit me po të njëjtin emër. Tashmë, qyteti është duke u zhvilluar tej rëndësisë së tij fetare, me zhvillimin e shpejtë industrial të State Industrial Development Corporation of Uttarakhand (SIDCUL) dhe pranë kompleksit të Bharat Heavy Electricals Limited si dhe të tjerave.