futbollist argjentinas From Wikipedia, the free encyclopedia
Javier Adelmar Zanetti (lindur më 10 gusht 1973) është një ish futbollist profesionist argjentinas i cili ka luajtur si mesfushor dhe mbrojtës.
Zanetti në një konferencë për shtyp. | |||
Të dhënat vetjake | |||
---|---|---|---|
Emri i plotë | Javier Adelmar Zanetti | ||
Datëlindja | 10 gusht 1973 | ||
Vendlindja | Buenos Aires, Argjentinë | ||
Gjatësia | 1.78 m (5 ft 10 in) | ||
Pozicioni | Mbrojtës / Mesfushor | ||
Karriera me të rinjtë | |||
1982–1989 | Independiente | ||
1991–1992 | Talleres | ||
Karriera me klube* | |||
Vitet | Klubi | Ndeshje | (Golat) |
1991–1992 | Talleres | 33 | (1) |
1992–1995 | Banfield | 66 | (4) |
1995–2014 | Internazionale | 615 | (12) |
Gjithsej | 714 | (17) | |
Karriera ndërkombëtare | |||
1996 | Argjentina U23 | 12 | (0) |
1994–2011 | Argjentina | 143 | (4) |
*Ndeshjet dhe golat me klubet llogariten vetëm për ligën vendase |
Zanetti e nisi karrierën e tij si profesionist në Argjentinë, fillimisht duke luajtur me Talleres dhe më pas me Banfield. Në verën e vitit 1995, Zanetti u transferua në Itali te Interi, klub ku do të qëndronte për 19 sezonet e ardhshme. Ai u tërhoq nga futbolli në maj 2014 në përfundim të sezonit 2013–14.[1]
Me 1,114 ndeshje zyrtare të luajtura, Zanetti është lojtari i shtatë në renditjen e të gjitha kohërave për ndeshjet e luajtura. Ai është lojtari i huaj me më shumë ndeshje në Serie A (615), si dhe i katërti i të gjitha kohërave, pas Paolo Maldinit, Gianluigi Buffonit dhe Francesco Tottit. Ai është lojtari që ka luajtura në historinë e Interit (858), dhe ka fituar 16 trofe; pesë Scudetto, katër Kupa Italiane, katër Superkupa Italie, një Kupë UEFA, një UEFA Ligë Kampionesh dhe një FIFA Kupë Bote për Klube.[2] Në Ligën e Kampioneve, ai është lojtari që ka luajtur më shumë ndeshje si kapiten (82).[3]
Zanetti luajti 143 ndeshje me kombëtaren argjentinase,[4] një shifër që e bënë atë lojtarin e dytë me më shumë ndeshje në historinë e kombëtares. Në periudhën 2007–2018, ai ishte lojtari i cili mbante rekordin e më shumë ndeshjeve. Ai ka luajtur në dy edicione të FIFA Kupës së Botës (1998 & 2002), pesë edicione të Copa Américas (1995, 1999, 2004, 2007 & 2011), dhe një edicion të FIFA Kupës së Konfederatave (2005). Ai arriti finalen e Copa Américas në vitet 2004 dhe 2007 dhe Kupës së Konfederatave në vitin 2005, duke qënë në anën e ekipit humbës në të tre rastet.
I njohur për shkathtësinë e tij, Zanetti luante pa problem në të dyja krahët, si në mbrojtje ashtu edhe në mesfushë. Pas tërheqjes nga futbolli, klubi tërhoqi fanellën e tij me numrin 4, dhe e emëroi atë zëvëndës-president.[5][6][7] Ai u emërua ambasador i organizatës joqeveritare SOS Fshatrat e fëmijëve në projektin e saj në Argjentinë nga FIFA, kurse në vitin 2005, ai u nderua me çmimin Ambrogino d'Oro nga qyteti i Milanos për iniciativat e tij sociale. Zanetti është gjithashtu ambasdor global i Lojërave olimpike.[8]
Javier Adelmar Zanetti lindi në Buenos Aires të Argjentinës nga prindër me origjinë italiane. Ai u rrit në zonën e portit në rrethin Dock Sud, një nga zonat më famëkeqe të qytetit. Babai i tij Rodolfo Zanetti ishte murator kurse mamaja e tij Violeta Bonnazola ishte pastruese. Ai nisi të luajë futboll në një bga fushat e qytetit të tij, të cilën e mirëmbante në kohën e tij të lirë. Kur Zanetti ishte adoleshent, ai shkoi në provë te akademia e të rinjëve e klubit lokal të qytetit Independiente, por ai u refuzua dhe j'u tha se i mungonte fiziku për të luajtur futboll. Pas kësaj, ai u përqëndrua te shkolla, ndihmonte babain në punën e tij si murator dhe kryente punë të ndryshme si shpërndarës qumështi ose ndihmës në dyqanin e një të afërmi të tij.[9]
Zanetti e filloi karreirën e tij si profesionist më 22 gusht 1992 me skuadrën e Tallares gjatë ndeshjes së javës së tretë së divizionit të dytë kundër Atlético Central Córdoba, ku ai hyri në minuten e 80të duke zëvëndësuar Migel Angel Fretes në fitoren 2–1.[10] Ai debutoi si titullar me 12 shtator në barazimin e Tallares 0–0 kundër Ituzaingó në fushën e kësaj të fundit. Ai shënoi golin e tij të parë me Tallares më 20 mars 1993 në ndeshjen kundër Arsenal de Sarandí që përfundoi 1–1. Në sezonin e vetëm që Zanetti luajti me Tallares numëronte gjithsej 33 paraqitje. Pas kësaj, ai u transferua te skuadra e divizionit të parë Banfield.
Në verën e 1993, Zanetti u transferua në ligën më të lartë në Argjentinë te skuadra e Banfield për 160,000 $. Të dy trajnerët Oscar Lopez dhe Oscar Cavallero i vendosën atij fanellën me numrin 4. Ai filloi karrierën e tij me skuadrën e re kundër River Plate më 12 shtator 1993, ndeshja përfundoi 0–0.
Zanetti e mbylli sezonin e tij të parë me Banfield duke luajtur 37 ndeshje ku shënoi edhe një gol. Golin e tij, Zanetti e shënoi më 29 shtator në barazimin 1–1 të Banfield kundër Newell's Old Boys. Ai u thirr nga Argjentina pas paraqitjeve të mira me fanellën e Banfield. Zanetti pati një sezon të dytë impresionues duke luajtur 29 ndeshje dhe shënuar tre gola. Goli i parë erdhi më 23 tetor 1994 në fitoren 3–0 të Banfield kundër Independiente, goli i dytë erdhi më 29 nëntor në barazimin 1–1 midis Banfield dhe Deportivo Textil Mandiyú dhe goli i tretë erdhi më 2 prill 1995 në fitoren 4–1 të Banfield kundër Argentinos Juniors.
Si pjesë e klubit për 19 vite me 858 paraqitje në të gjitha kompeticionet, ai është aktualisht lojtari që ka qëndruar më gjatë në klub si dhe lojtari me më shumë ndeshje në historinë e klubit – duke kaluar italianin Giuseppe Bergomi (758).
Gjatë qëndrimit të tij te Interi, ai fitoi 16 trofe, ku 15 prej tyre si kapiten: Kupën UEFA në 1998, Kupën e Italisë në 2005, 2006, 2010 dhe 2011, Superkupën e Italisën në 2005, 2006, 2008 dhe 2010, Scudetton në 2005–06, 2006–07, 2007–08, 2008–09 dhe 2009–10 dhe Ligën e Kampioneve 2009–10.[2]
Zanetti qëndroi plot 12 vite pa u përjashtuar me karton të kuq nga një ndeshje. Hera e parë që ai doli jashtë me karton të kuq ishte më 17 shkurt 1999 në një ndeshje të Kupës së Italisë kundër Parmës, por ai e prishi rekordin e tij në një ndeshje të Serie A kundër Udineses më 3 dhjetor 2011.[11] Këto kanë qënë të dy rastet e vetme kur ai ka marrë karton të kuq gjatë gjithë karrierës së tij te Inter.
Te Interi, Zanetti ka pasur 19 trajnerë të ndryshëm (lista), duke u bërë lojtari i parë që ka luajtur nën udhëheqjen më shumë trajnerëve. Ai gjithmon ka deklaruar se e ardhmja e tij është te Zikaltrit, duke shprehur dëshirën për t'u tërhequr nga futbolli si lojtar i Interit. Ai gjithashtu shfaqi dëshirën për të pasur një rol drejtuesi te Interi pas tërheqjes. "Interi do të thotë shumë për mua", ka thënë Zanetti.
Ishte skuadra e parë që më hapi dyert e futbollit evropian. Isha shumë i ri kur erdha këtu dhe nuk e mendoja se klubi do të kishte kaq shumë besim te një djal 20 vjeç. Unë gjithmonë do të jem mirënjohës për këtë. Për disa arsye unë jam ndjerë gjithmonë si në shtëpi dhe kjo është arsyeja pse unë nuk kam menduar për të lënë Interin.[12]
Zanetti mbërriti në Milano me kërkesën e presidentit Massimo Moratti,[13] i cili sëbashku me djalin e tij e kishte parë atë në një video kasetë duke luajtur për Argjentinën në Lojërat olimpike.[14] Qëllimi fillestar i presidentit ishte Ariel Ortega, për të cilin kishte dërguar vëzhguesin Antonio Angelillo për t'a parë në Kupën Mandela me Argjentinën, ku edhe Zanetti po merrte pjesë, por lojtari e zhgenjeu atë, duke bërë që ai të kthente syte te Zanetti.[15] Transferimi i tij u zyrtarizua më 28 korrik 1995, duke bërë që patrioti i tij Diego Maradona t'a quante "blerjen e vitit". Ai u prezantua sëbashku me argjentinasin tjetër Sebastián Rambert, i cili ndryshe nga Zanetti pati një karrierë të shkurtër te Zikaltrit.[15]
Ai debutoi më 27 gusht 1995 në fitoren minimale 1–0 ndaj Vicenzas në Serie A falë golit të debutuesit tjetër Roberto Carlos.[16] Më 12 shtator, Zanetti bëri debutimin e tij në kompeticionet evropiane, duke luajtur kundër Luganos në Kupën UEFA.[17] Goli i tij i parë erdhi më 3 dhjetor në një tjetër fitore në shtëpi, kësaj here kundër Cremoneses.[18] Zanetti i shënoi këtij ekipi edhe në ndeshjen e kthimit, ku Inter fitoi 4–2 më 6 prill 1996.[19] Në përfundim të sezonit të tij të parë, Zanetti u nderua nga klubi me çmimi Pirata d'Oro, i cili i jepej lojtarit më të mirë të sezonit.[20]
Zanetti fitoi vendin e titullarit plotësisht në sezonin e ardhshëm, duke ndihmuar Interin të arrinte vendin e tretë në kampionat. Ekipi gjithashtu arriti në finalen e Kupës UEFA, por u mposht me penallti nga Schalke 04;[21] në ndeshjen e kthimit në San Siro, ai u zëvëndësua dy minuta para përfundimit të ndeshjes nga trajneri Roy Hodgson. I acaruar nga vendimi i trajnerit, argjentinasi debatoi me trajnerin dhe të dy u ndanë nga pjesa tjetër e ekipit para se debati të kalonte në përballje fizike.[22] Në fund, kjo mosmarrëveshje u zgjidh.[23]
Në sezonin e ardhshëm, me mbërritjen e Luigi Simonit në stol dhe Ronaldos në fushë,[24] Inter garoi me Juventusin për kampionatin. Dueli, që u karakterizua me shumë debate dhe polemika, u fitua nga Juventusi mes polemikave.[25][26] Pavarësisht vendit të dytë në kampionat, Interi arriti sukses në Evropë, duke fituar Kupën UEFA; në finale ata mposhtën Lazion 3–0, me Zanettin i cili shënoi golin e dytë të ndeshjes me një gjuajtje nga gjashtë zone.[27]
Në sezonin 1998–99, Inter u konsiderua një nga pretendentët për titull, kjo edhe falë përforcimit të ekipit.[28] Pavarësisht mbështjetjes së Zanettit – i cili më 28 tetor 1998 u bë kapiten për herë të parë në një ndeshje të kupës ndaj Castel di Sangro[29] – Zikaltrit zhvilluan një sezon anonim, duke mos arritur objektivat, gjë që solli edhe largimin e Simonit.[30] Trajneri i shkarkua pas një fitore ndaj Salernitanës, ku Zanetti kontriboi me një gol një minutat shtesë.[31] Paraqitjet e ekipit bënë që Interi të rrezikonte dhe rënjen nga kategoria; përveç rezultateve negative në kampionat, ekipi u eliminua nga Kupa e Italisë nga Parma (Zanetti u përjashtua me karton të kuq në ndeshjen e parë) dhe nga Liga e Kampioneve nga Manchester United.[32][33] Interi e mbylli kampionatin në vendin e tetë, duke humbur mundësinë të kualifikohej në kompeticionet evropiane; një mundësi e fundit ishte ndeshja play-off ndaj Bolonjës për t'u kualifikuar në Kupën UEFA, por ekipi u mposht. Gjatë këtij sezoni, Zanetti arriti të luajë ndeshjen e tij të 100të në Serie A, në distafën 3–2 në shtëpi ndaj Barit.[34]
Nga viti 1999 e deri në 2001, ekipi u drejtua nga Marcello Lippi dhe më pas nga Marco Tardelli, por rezultatet nuk u përmirsuan. Interi arriti respektivisht vendin e katërt dhe të pestë në kampionat, kurse në maj 2000, humbi finalen e kupës ndaj Lazios. Sezoni 2000–01 shënoi edhe distafën më të rëndë të Interit në Derby della Madonnina, duke u mposhtur 6–0 nga Milani.[35] Gjatë kësaj kohe, Zanetti shërbeu si kapiten i ekipit, duke marrë shiritin nga Ronaldo, i cili gjatë kësaj kohe ishte jashtë fushave për shkak të një dëmtimi të rëndë.[36]
Vera e vitit 2001 pa vendosjen e trajnerit Héctor Cúper në krye të ekipit, me presidentin Moratti i cili kërkonte të rikthente ekipin te suksesi.[37] Gjatë kësaj kohe, Zanetti u bë zyrtarisht kapiten i ekipit, pasi kishte mbajtur shiritin për rreth dy vite për shkak të dëmtimit të Ronaldos.[36] Në sezonin 2001–02, Zikaltrit ishin kryesues për pjesën më të madhe të kampionatit, kurse në Kupën UEFA u eliminuan në gjysëm-finale nga Feyenoordi. Scudetto, edhe pse ishte vetëm një formalitet, u humb në ditën e fundit të sezonit, kur ekipi u mposht 4–2 nga Lazio në Stadio Olimpico, duke bërë që të parakaloheshin nga Juventusi dhe Roma.[38] Në atë sezon, Zanetti u nderua me çmimin Pallone d'Argento, i dhuruar nga Bashkimi i Shtypit Sportiv Italian për "lojtarin më të drejtë dhe për talentin e futbollit, korrektësinë sportive, moralin e mirë dhe bujarinë ndaj të dobëtit".[39] Ai zhvilloi ndeshjen e tij të 200të në Serie A më 21 tetor 2001 në humbjen 4–2 në San Siro ndaj Milanit.[40]
Në gusht 2003, Zanetti rinovoi kontratën e tij me klubin deri në qershor 2007.[41][42] Sezoni 2003–04 ishte një tjetër zhgënjim për Interin, që arriti vetëm një vend të katërt në kampionat, kurse në kompeticionet evropiane zhvilloi paraqitje zhgënjyese.[43] Në verën e vitit 2004, Roberto Mancini – shpesh një kundërshtar i Zanettit gjatë kohës së tij si futbollist te Lazio – zëvëndësoi Alberto Zaccheronin si trajner;[44] ky i fundit, kishte zëvëndësuar Cúperin në tetor 2003.[45]
Sezoni 2004–05 shënoi rikthimin e Interit te suksesi, duke triumfuar në Kupën e Italisë.[46] Për argjentinasin ky ishte trofeu i dytë me klubin, pas Kupës UEFA 1998, si dhe i pari si kapiten i ekipit. Më 10 nëntor 2004, Zanetti luajti ndeshjen e tij të 300të në Serie A në barazimin 2–2 të Interit në shtëpi ndaj Bolonjës.[47][48] Në gusht 2005, ata fituan Superkupën e Italisë ndaj ekipit rival Juventus,[49] një sukses i cili u ndoq në fund të sezonit me fitimin e një tjetër kupe. Pas skandalit të Calciopolit, Interit j'u dhurua edhe Scudetto, kurse Juventusi u rrëzua nga kategoria.[50]
Pas mbërritjes së brazilianit Maicon para fillimit të sezonit 2006–07, Zanetti u zhvendos nga mbrojtës në krahun e djathtë në mesfushë.[51] Më 27 shtator 2006, në ndeshjen e fazës së grupeve ndaj Bayern München, Zanetti regjistroi paraqitjen e tij të 500të me Interin.[52] Në nëntor, ai i dha fund zbrastisë pesë-vjeçare pa gol duke shënuar në fitoren 2–0 në shtëpi ndaj Ascolit,[53] si dhe luajti ndeshjen e 100të në kompeticionet e UEFA-s, kundër Sporting CP. Interi dominoi në kampionatin e atij sezoni, duke siguruar titullin pesë javë para përfundimit me 97 pikë në renditje.[54] Ata lanë në vendin e dytë Romën 22 pikë mbrapa; ekipi i kryeqytetit do të ishte rivalja kryesore për titull edhe në sezonin e ardhshëm.
Inter fitoi edhe kampionatin e sezonit 2007–08, duke lënë sërisht mbrapa Romën.[55] Pavarësisht suksesit në Itali, Interi vazhdoi të dhuronte performanca negative në kompeticionet evropiane, që kulmoi me eliminimin nga Liga e Kampioneve nga ekipi anglez Liverpool;[56] kjo gjë që solli edhe shkarkimin e Mancinit si trajneri i ekipit.[57]
Mancini u zëvëndësua në stol nga portugezi José Mourinho,[58] i cili që në ndeshjen e parë të tij si trajner fitoi trofe, Superkupën e Italisë 2008 ndaj Romës. Zanetti luajti rol të rëndësishëm në këtë ndeshje, duke shënuar penalltinë e fundit të ekipit të tij në fitoren me penallti në San Siro; koha e rregullt dhe shtesa ishin mbyllur në barazim pa gola.[59] Më 24 shtator 2008, Zanetti festoi një tjetër arritje, ku në fitoren 1–0 ndaj ekipit të sapongjitur Lecce, ai regjistroi ndeshjen e 600të për Interin në të gjitha kompeticionet.[60] Më 15 mars 2009, Zanetti u bë lojtari i dytë me më shumë ndeshje për Interin, duke barazuar 634 ndeshjet e Giacinto Facchettit në fitoren ndaj Fiorentinës,[61] e më pas duke e kaluar një javë më vonë në fitoren 3–0 ndaj Regginës. Ai e shpenzoi sezonin 2008–09 duke luajtur mes mbrojtjes dhe mesfushës, me Interin që fitoi kampionatin e katërt rresht.[62][63] Megjithatë, në Ligën e Kampioneve Zikaltrit vazhduan të zhgënjenin, duke u eliminuar sërisht në raundin e 16-tave, këtë herë nga Manchester United.[64]
Sezoni 2009–10 nisi në mënyrë të mrekullueshme për Interin dhe Zanettin, veçanërisht pas fitores 4–0 ndaj Milanit në Derby della Madonnina.[65] Në ndeshjen ndaj Genoas më 17 tetor, ai nisi aksionin e kundërsulmit që solli golin e dytë të Interit pasi i mori topin një lojtari kundërshtar; ndeshja përfundoi me fitoren e ekipit 5–0 në transfertë.[66][67] Vetëm një javë më pas, ai barazoi rekordin e Giacinto Facchettit për numrin e ndeshjeve në Serie A nga një lojtar i Interit, duke zhvilluar ndeshjen e tij të 476 në fitoren 2–1 ndaj Catanias.[68][69] Ai e theu këtë rekord më 29 tetor në triumfin 5–3 në shtëpi ndaj Palermos.[70] Më 7 mars 2010, në humbjen 2–1 në transfertë ndaj Romës,[71] Zanetti u ndëshkua me karton të verdhë, i katërti sezonal, duke bërë që të humbiste ndeshjen e rradhës ndaj Bolonjës më 3 prill; kjo gjë i dha fund rekordit të tij me 137 ndeshje rresht në luajtura në Serie A dhe 167 ndeshje të luajtura në të gjitha kompeticionet, rekord i cili nisi në tetor 2006.[72][73] Më 5 maj, Interi mposhti Romën në finalen e Kupës së Italisë, kurse Scudetto u fitua më 16 maj pas fitores 1–0 në transfertë ndaj Sienës; goli i vetëm i ndeshjes u shënua nga Diego Milito, i cili u asistua nga Zanetti pas një inkursioni personal nga kapiteni.[74] Inter u bë ekipi i dytë në historinë e futbollit italian që fiton Serie A pesë herë rresht.[75] Më 22 maj, Interi arriti suksesin e shumëpritur Evropian duke fituar Ligën e Kampioneve për herë të parë pas 45 vitesh. Në finale, ekipi mposhti Bayern München me rezultatin 2–0, me Zanettin i cili luajti ndeshjen e tij të 700të për klubin në të gjitha kompeticionet.[76] Me suksesin në të tre frontet, Interi arriti një Tripletë historike, duke u bërë klubi i parë italian që e arrin këtë gjë, kurse Zanetti kapiteni i parë i një klubi italian.[77]
Pas mbylljes së sezonit historik 2009–10, José Mourinho u largua nga drejtimi i skuadrës, duke u zëvëndësuar nga spanjolli Rafael Benítez.[78] Zanetti firmosi një kontratë të re dy-vjeçare para fillimit të sezonit 2010–11.[79] Në gusht, Zikaltrit fituan Superkupën e Italisë për herë të pestë në histori, duke mposhtur Romën në San Siro,[80] por humbën mundësinë të fitonin Superkupën Evropiane, duke pësuar disfatë nga Atlético Madrid në Monako. Më 20 tetor, në ndeshjen e fazës së grupeve të Ligës së Kampioneve kundër Tottenham Hotspur, Zanetti shënoi golin e parë të ekipit të tij në një fitore 4–3 në shtëpi.[81] Në moshën 37 vjeç dhe 72 ditë, ai u bë golashënuesi më i vjetër i kompeticionit; që nga ajo ditë, rekordi i tij është kaluar nga Filippo Inzaghi, Ryan Giggs dhe Francesco Totti.[82] Në dhjetor, Interi fitoi edhe Kupën e Botës për Klube, duke mposhtur në finale TP Mazemben me rezultatin 3–0;[83] Zanetti kontriboi me një gol në fitoren 3–0 në gjysëm-finale ndaj Seongnam Ilhwa Chunma, duke shënuar me të majtën pas një kombinimi në hyrje të zonës me Militon.[84] Interi e mbylli vitin 2010 me pesë trofe, duke realizuar The Quintuple.
Pavarësisht fitimit të Superkupës dhe Kupës së Botës për Klube, Interi nuk pati vazhdimësi në kampionat, duke qënë disa pikë larg Milanit të vendit të parë. Kjo gjë solli edhe shkarkimin e trajnerit më 23 dhjetor, vetëm pesë ditë pas triumfit në Kupën e Botës për Klube.[85] Ai u zëvëndësua nga Leonardo,[86] i cili në ndeshjen e parë në stol udhëhoqi Interin në fitoren 4–1 ndaj Bolonjës më 15 janar;[87] në këtë ndeshje, Zanetti zhvilloi ndeshjen e 519 në Serie A, duke barazuar Giuseppe Bergomin si lojtari i Interit me më shumë ndeshje në Serie A.[88][89][90] Ai e theu rekordin vetëm katër ditë më vonë në fitoren 3–2 ndaj Cesenës në shtëpi.[91][92] Në maj 2011, Zanetti arriti një tjetër rekord, duke zhvilluar ndeshjen e tij të 1,100 si futbollist profesionist në ndeshjen e dytë të gjysëm-finales së Kupës së Italisë kundër Romës. Kjo gjë e bëri atë futbollistin e katërt profesionist në histori që e arrin këtë shifër. Inter arriti të fitonte Kupën e Italisë, duke mposhtur në finale Palermon 3–1; ky ishte trofeu i fundit i Zanettit si lojtar i Interit.[93] Megjithatë, në kampionat, Inter dorëzoi titullin e Serie A për herë të parë pas gjashtë vitesh.[94]
Në sezonin 2011–12, Interi pësoi një rënje masive. Gian Piero Gasperini u vendos trajneri i ri i ekipit, por ai pati një nisje negative duke humbur Superkupën e Italisë ndaj Milanit. Më 17 shtator 2011, në barazimin pa gola në San Siro ndaj Romës, Zanetti luajti ndeshjen e tij të 756të me Zikaltrit, duke barazuar Bergomin si lojtari me më shumë ndeshje në historinë e klubit. Vetëm pesë ditë më pas, Gasperini u shkarkua pas humbjes 3–1 ndaj ekipit të sapongjitur Novara.[95] Në këtë ndeshje, Zanetti zhvilloi paraqitjen e tij të 757të me Interin, duke u bërë lojtari me më shumë ndeshje i klubit.[96][97] Në tre javët e para të kampionatit, Inter kishte marrë vetëm një pikë, duke regjistruar nisjen më të keqe në 28 vitet e fundit.[95] Gasperini u zëvëndësua nga Claudio Ranieri,[98] i cili fitoi ndeshjen e tij debutuese ndaj Bolonjës 3–1 si dhe mposhti CSKA Moskën 3–2 në ndeshjen e dytë të fazës së grupeve së Ligës së Kampioneve; kjo ishte ndeshja e 78të e Zanettit si kapiten në Ligën e Kampioneve, duke kaluar rekordin e Paolo Maldinit (77). Në ndeshjen e rradhës në Ligën e Kampioneve, Zanetti arriti ndeshjen e tij të 100të në këtë kompeticion (përfshirë edhe ndeshjet kualifikuese) me Interin që mposhti Lille në Francë.[99]
Më 3 dhjetor, në humbjen 1–0 ndaj Udineses në shtëpi, Zanetti mori kartonin e kuq të dytë dhe të fundit në karrierë me Interin; kartonin e kuq të parë e kishte marrë në shkurt 1999.[11] Interi vazhoi me performancat negative edhe në pjesën e dytë të sezonit, duke e mbyllur kampionatin në vendin e gjashtë. Ky pozicion do të thoshte se Interi nuk do të luante në Ligën e Kampioneve për herë të parë që nga sezoni 2001–02. Ata u eliminuan në Kupën e Italisë nga Napoli dhe në Ligën e Kampioneve nga Marseja me rregullin e golit jashtë fushe.[100]
Duke qënë se nuk u kualifikuan dot në Ligën e Kampioneve, Interi e nisi sezonin 2012–13 në raundet kualifikuese të Ligës së Evropës. Në këtë fazë eliminatore, Zanetti zhvilloi ndeshjen e tij të 800të me Zikaltrit në të gjitha kompeticionet në fitoren në transfertë ndaj Vasluit më 23 gusht; në këto 800 ndeshje, ai kishte luajtur 570 në Serie A, 66 në Kupën e Italisë, 151 në kompeticionet evropiane dhe 13 në kompedicione të tjera.[101] Përpara fillimit të ndeshjes, ish shoku i skuadrës Iván Córdoba, i cili ishte tërhequr nga futbolli në përfundim të sezonit të kaluar, i dhuroi atij një fanellë me numrin 800, kurse gjatë ndeshjes, Zanetti mbajti shirtin e kapitenit që lexonte "Inter-Javier Zanetti, 800 histori dashurie sëbashku".[102] Interi arriti me sukses të kualifikohej për në fazën e grupeve, kurse në kampionat ishte në vendin e dytë deri në nëntor, duke fituar shtatë ndeshje rresht, përfshirë edhe derbet ndaj Milanit dhe Juventust;[103] në të parën, Zanetti zhvilloi ndeshjen e tij të 45të, duke parakaluar Bergomin si lojtari Interit me më shumë ndeshje në derbi.[104] ai gjithashtu bë lojtari i dytë me më shumë ndeshje në derbi, duke u renditur mbrapa Paolo Maldinit me 57 ndeshje.[104][105] Në të dytën, Interi fitoi 3–1 ndaj Juventusit në Torino, ku Zanetti ishte një nga më të mirët e ekipit të tij.[106] Interi i shkaktoi Juventusit humbjen e parë në shtëpi pas 49 ndeshjesh dhe të parën në stadiumin e ri, kurse Zanetti luajti derbin e tij të 38të.
Me vazhdimin e sezonit, Interi pësoi një rënje drasktike dhe e mbylli kampionatin në vendin e nëntë me vetëm 54 pikë, duke humbur mundësinë për të luajtur në kompeticionet evropiane sezonin e ardhshëm.[107] Ky ishte edhe rezultati më negativ i klubit që nga sezoni 1993–94. Ekipi u godit edhe nga dëmtimet e shumta gjatë sezonit, përfshirë edhe ato afatgjate të Diego Militos dhe Zanettit;[108][109] kapiteni pësoi një dëmtim të rëndë në thembrën e akilit në transfertën ndaj Palermos më 28 prill 2013; dëmtimi që pësoi kërkonte operacion. Përpara se të pësonte dëmtimin, ai arriti të vendoste disa rekorde, duke nisur me ndeshjen ndaj Sienës më 3 shkurt, ku ai luajti ndeshjen e tij të 592të në Serie A dhe barazoi rekordin e portierit Gianluca Pagliuca, të cilën më pas e theu në fitoren 3–1 në shtëpi ndaj Chievos. Më 10 mars, në humbjen 1–0 në shtëpi ndaj Bolonjës, ai u bë lojtari i dytë në histori që arrin 600 ndeshje në Serie A, pas Paolo Maldinit.[110] Në muajin e ardhshëm, Zanetti zhvilloi ndeshjen e tij të 1,100 si profesionist në fitoren 1–0 ndaj Parmës.[111] Rezultatet negative të Interit gjatë këtij sezoni sollën e shkarkimin e trajnerit Andrea Stramaccioni,[112] i cili u zëvëndësua nga Walter Mazzarri.[113]
Më 12 qershor 2013, presidenti i klubit Massimo Moratti konfirmoi se klubi kishte rinovuar kontratën me Zanettin edhe për një sezon.[114] Zanetti i shpenzoi muajt e verës në Argjentinë duke u rikuperuar nga dëmtimi i pësuar, duke bërë që për herë të parë pas 19 vitesh, ekipi të niste stërvitjen e parë të sezonit pa prezencën e tij. Ai humbi edhe turin në Shtetet e Bashkuara, por njoftoi se do të rikthej në ekipin e parë në nëntor 2014. Ai ishte në stol në ndeshjen ndaj Udineses më 3 nëntor,[115] ku Inter fitoi 3–0 në Stadio Friuli.[116] Gjashtë ditë më pas, në fitoren 2–0 në shtëpi ndaj Livornos,[117] Zanetti luajti ndeshjen e tij të parë pas rreth shtatë muajsh, duke u aktivizuar në minutat e fundit të takimit;[118] në minutën e 90të, ai nisi aksionin e golit të dytë të Interit të shënuar nga mbrojtësi Yuto Nagatomo, i cili e festoi golin e tij duke kryer përshëndetjen tradicionale japoneze me Zanettin, një festim të cilën e ka kryer edhe herë të tjera me kapitenin.[119] Pavarësisht rikthimit, Zanetti nuk u pa si titullar nga trajneri Mazzarri, i cili preferonte në krah brazilianin Jonathan.
Më 29 prill 2014, presidenti i ri Erick Thohir njoftoi se Zanetti do të tërhiqej nga futbolli në përfundim të sezonit 2013–14 dhe se do të merrte një rol drejtuesi në klub.[1][120][7][121] Më 6 maj, ishte vetë Zanetti që lajmëroi se do të tërhiqej nga futbolli në fund të sezonit.[122] Ndeshja e tij e fundit në San Siro ishte fitorja 4–1 kundër Lazios më 10 maj, një fitore që konfirmoi rikthimin e Zikaltërve në kompeticionet evropiane pas një sezoni.[123][124] Ai hyri në fushë në minutën e 52të në vend të Jonathan dhe majti një shirit të veçantë në krahë ku ishin shkruajtur të gjitha emrat e lojtarëve më të cilët ai kishte luajtur gjatë karrierës së tij te Interi. Ai u tërhoq pas ndeshjes së fundit të sezonit, të cilën e nisi si titullar në qëndër të mbrojtjes në humbjen 2–1 në transfertë ndaj Chievos më 18 maj.[125]
Pas dështimit në Kupës së Botës që u zhvillua në 1994 në Shba, Argjentina duhej rindertuar plotësisht. Shumë lojtarë të vjetër u larguan dhe shumë të rinjë u thirrën për herë të parë, ku mes tyre ishte edhe Zanetti, i cili në nëntor 1994, pas disa paraqitjeve te mira me Banfield, u thirr për herë të parë në moshën 21 vjeç nga trajneri i asajkohe Daniel Passarella.[126] Zanetti luajti ndeshjen e parë me kombëtaren në fitoren 3–0 në ndeshjen miqësore kundër Kilit; ai e nisi ndeshjen si titullar në mesfushë dhe luajti 90 minuta të plota.[127] Në janar 1995, ai ishte një nga 20 lojtarët e thirrur nga Passarella për Kupën e Mbretit Fahd 1995 (turnamenti, emri i së cilit ishte në nder të mbretit të Arabisë Saudite Fahd, u riemërua më pas si FIFA Kupa e Konfederatave nga FIFA).[128] Ai luajti në dy ndeshje në fazën e grupeve si dhe në finale, ku Argjentina u mposht nga Danimarka.[129] Më 22 qershor 1995, Zanetti shënoi golin e parë me kombëtaren në miqësoren ndaj Sllovakisë e cila u mbyll me fitoren e Argjentinës 6–0.[130][131] Kjo ndeshje më pas u hoq nga lista e ndeshjeve zyrtare nga Federata Argjentinase e Futbollit.[4] Vetëm dy javë më pas, Zanetti mori pjesë edhe në turnamentin Copa América 1995 të zhvilluar në Uruguaji.[132] Ai bëri debutimin e tij më 8 korrik në fitoren 2–1 ndaj Bolivisë, kurse tre ditë më pas luajti në fitoren 4–0 ndaj Kilit. Zanetti u la pushim në ndeshjen e tretë ndaj Shteteve të Bashkuara, të cilët mposhtën Argjentinën në mënyrë surprizë 3–0, duke fituar edhe grupin.[133] Argjentina u eliminua në çerek-finale nga Brazili me penallti; Zanetti luajti në të gjithë ndeshjen.[134]
Pas kësaj, Zanetti luajti rregullisht në mesfushë gjatë fushatës kualifikuese të Kupës së Botës 1998. Argjentina siguroi kualifikimin duke fituar grupin me 30 pikë nga 16 ndeshje.[135][136] Në maj 1998, në moshën 24 vjeç, ai u thirr nga trajneri Passarella në Kupën e Botës 1998, e cila ishte edicioni i tij i parë në karrierë.[137] Më 14 qershor, Zanetti luajti ndeshjen e tij të parë në Kupën e Botës në fitoren minimale 1–0 ndaj Japonisë në fazën e grupeve.[138] Argjentina i fitoi të tre ndeshjet e grupit pa pësuar gol dhe u kualifikua në fazën me eliminim direkt si fituese e grupit. Në ndeshjen e raundit të 16-tave, ekipi u përball kundër Anglisë, në një ndeshje ku Zanetti shënoi golin e tij të parë në një Kupë Bote; goli i Zanettit erdhi në minutën e parë shtesë të pjesës së parë si pjesë e një skeme të një goditje të lirë afër zonës kundërshtare, ku ekzekutuesi Juan Sebastián Verón me pasimin e tij e nxorri Zanettin në një pozicion të lirë, me mesfushorin i cili shënoi me një të majtë të fuqishme.[139][140][141] Në një intervistë për FourFourTwo në korrik 2017, i pyetur rreth këtij goli, Zanetti deklaroi se ekipi e kishte praktikuar këtë skemë për katër vite rresht dhe se ai fillimisht nuk ishte lojtari i përzgjedhur për të gjuajtur, por Ariel Ortega.[23][140] Koha e rregullt dhe shtesa u mbyllën në barazim 2–2, duke bërë që ndeshja të kalonte në gjuajtjet e penalltive, ku Argjentina fitoi 4–3 dhe u kualifikua në çerek-finale.[142] Argjentina më pas u eliminua në çerek-finale nga Holanda me rezultatin 2–1.[143]
Në verën e vitit 1999, Zanetti luajti në Copa América 1999, duke marrë një ftesë nga Marcelo Bielsa.[144] Në këtë turnamenti, ai mori kartonin e kuq të parë dhe të fundit në karrierën e tij ndërkombëtare; ajo erdhi më 4 korrik në ndeshjen e dytë të fazës së grupeve, ku Argjentina pësoi disfatë 3–0 nga Kolumbia. Kjo ndeshje është e famshme edhe për dhënjen e pesë penalltive nga gjyqtari Wilson de Souza, ku katër u humbën, përfshirë tre nga shoku i skuadrës së Zanettit, Martín Palermo.[145] Ai humbi ndeshjen e fundit të fazës së grupeve dhe u rikthye për ndeshjen çerek-finale, ku Argjentina sërisht u përball me Brazilin; ashtu si katër vite më parë, La Albiceleste u mposhtën 2–1 dhe u eliminuan nga turnamenti,[146][147] me Brazilin që në fund u shpall kampion.[148]
Nga viti 2000 e deri në 2001, Zanetti luajti rregullisht në kualifikueset e Kupës së Botës 2002.[149] Megjithatë, ai humbi katër ndeshje në periudhën gusht-nëntor 2000 për shkak të një dëmtimi në muskulin e majtë aduktor. Në maj 2002, ai ishte në listën e të grumbulluarve të trajnerit Bielsa për turnamentin që do të zhvillohej në Japoni dhe Korenë e Jugut.[150][151] Zanetti luajti si titullar në të tre ndeshjet e grupit. Argjentina, edhe pse e fitoi ndeshjen hapëse, u eliminua nga turnamenti pasi dështoi të fitonte dy të tjerat.[152]
Më 8 qershor 2003, gjatë ndeshjes miqësore ndaj Japonisë për Kupën Kirin, Zanetti veshi shiritin e kapitenit për herë të parë si lojtar i Argjentinës. Ekipi fitoi ndeshjen me rezultatin 4–1, me Zanettin i cili shënoi golin e dytë në minutën e 45të.[153] Në vitin e ardhshëm, ai luajti në Copa América 2004 që u mbajt në Peru. Ekipi, i cili përbëheshe nga shumë lojtarë me përvojë, arriti deri në finale ku u mposht nga Brazili 4–2 me penallti.[154] Pas mbarimit të turnamentit José Pékerman u bë trajneri i ekipit. Me të nën drejtim, Zanetti luajti vetëm shtatë ndeshje në kualifikueset e Kupës së Botës 2006, por arriti të shënojë në fitoren 4–2 ndaj Uruguajit në tetor 2004. Në qershor 2005, ai ishte një nga 23 lojtarët që luajtën në Kupën e Konfederatave 2005.[155] Në ndeshjen gjysëm-finale ndaj Meksikës më 26 qershor, Zanetti zhvilloi paraqitjen e tij të 100të me kombëtaren, duke u zgjedhur lojtari më i mirë,[156] me Argjentinën që fitoi 4–3 dhe avancoi në finale. Në finale, ekipi u mposht 4–1 sërisht nga Brazili, duke humbur një tjetër finale.[157] Në maj 2006, Zanetti u la jashtë listës përfundimtare të Kupës së Botës 2006 nga trajneri Pékerman, i cili në vënd të tij preferoi Lionel Scalonin, i cili morri një ftesë surprizë, duke shkaktuar polemika të shumta në Argjentinë.[158][159][160]
Me trajnerin e ri Alfio Basile, Zanetti u thirr për ndeshjen miqësore kundër Francës më 7 shkurt 2007. Ai zhvilloi një paraqitje pozitive duke asistuar golin vetëm të ndeshjes të shënuar nga sulmuesi Javier Saviola që i dha Argjentinës fitoren e parë nën drejtimin e Basiles.[161] Në të njëjtin vit, Zanetti ishte zëvëndës-kapiteni i skuadrës së Argjentinës në Copa América 2007, ku ai do të luante në edicionin e katërt të tij pas edicioneve 1995, 1999 dhe 2004.
Në 2007, Zanetti u nderua me çmimin National Giuseppe Prisco.[162] Pas tërheqjes së mbrojtësit Roberto Ayala, Zanetti u bë kapiteni i ri i ekipit. Në një ndeshje kualifikuese të Kupës së Botës më 17 nëntor 2007, ai u bë lojtari me më shumë ndeshje në historinë e kombëtares argjentinase.[163] Zanetti vazhdoi titullar nën drejtimin e trajnerit të ri Diego Maradona, edhe pse mefsushori Javier Mascherano mori shiritin e kapitenit pas kërkesës së Maradonës.[164] Pavarësisht se fitoi Tripletën me Interin në sezonin 2009–10, Zanetti dhe shoku i tij Esteban Cambiasso nuk u përfshinë nga Maradona për të luajtur në Kupën e Botës 2010.[165] Kjo zgjedhje u kritikua ashpër nga ekspertët e futbollit si nga Amerika e Jugut dhe Evropa. Në vend të tij u thirr 30 vjeçari Ariel Garcé, i cili ishte thirrur vetëm dy herë kombëtare në pesë vitet e fundit,[166] duke sjellur një përzgjidhje shokuese; megjithatë, Grace nuk luajti asnjë ndeshje gjatë Kupës së Botës. Vendi i Zanettit në formacionin titullar u mor nga Jonás Gutiérrez, i cili e kishte kaluar sezonin e shkuar duke luajtur si anësor te Newcastle United në divizionin e dytë anglez.[167]
Më 20 gusht 2010, trajneri i ri i kombëtares Sergio Batista e rithirri Zanettin për ndeshjen miqësore kundër Spanjës që u luajt më 7 shtator 2010 në Stadiumin Monumental të River Plates, ku ai dhe legjenda tjetër Gabriel Batistuta u nderuan nga Federata Argjentinase e Futbollit për kontributin e tyre në ekipin kombëtar mes të 48,000 tifozëve që i dhanë atyre një duartrokitje në këmbë.[168] Ai u thirr sërisht në kombëtare për ndeshjen miqësore kundër Japonisë në tetor 2010 por u tërhoq në minutën e fundit për shkak të një dëmtimi të lehtë.[169]
Ai ishte një pjestar i skuadrës së Argjentinës në Copa América 2011,[170] duke luajtur si titullar në të katërta ndeshjet e skuadrës, që u eliminua në çerek-finale nga Uruguaji me penallti.[171]
U përballa me Zanettin për herë të parë në çerek-finalet e Ligës së Kampioneve në vitin 1999, ai ishte mbrojtës i djathtë kurse unë isha në të majtë. Ai la mbresa me cilësitë e tij, shpejtësinë, fuqinë, inteligjencën dhe ekspertizën. Luajta kundër tij edhe dy herë të tjera dhe ai ishte kundërshtari im më i vështirë, një lojtar i plotësuar.
Zanetti fitoi pseudonimin El Tractor për rezistencën dhe vrapimet energjitike lartë dhe poshtë si ndihmë të mbrojtjes ashtu edhe të sulmit. Ai ishte i njohur në mesin e shokëve të tij të skuadrës për vazhdimësimë dhe regjimin e stërvitjes, të cilat ai i ka dhënë meritat si faktorët kryesorë të karrierës së tij të gjatë.[9][173][174] Gjatë sezoneve të tij të fundit, ai luajti si titullar në mbi 30 ndeshje pavarësisht se ishte në fund të të 30-tave. Si kapiten për klubin e tij dhe kombëtaren, ai ishte shumë i respektuar nga tifozët e tij dhe ata kundërshtarë për lidershipin e tij, qetësinë dhe sjelljen brënda dhe jashtë fushe; në karrierën e tij 22-vjeçare, ai mori vetëm tre kartonë të kuq.[175]
Zanetti ishte një lojtar i shpejtë, i fuqishëm dhe në formë në kulmin e tij, me aftësi fizike të jashtëzakonshme, kontroll topi të shkëlqyer, driblim, aftësi teknike dhe nxitim.[176] Në aspektin mbrojtës, ai shkëlqente në leximin e lojës, rikuperimin e topit dhe markimin e kundërshtarit, por ishte edhe i aftë në shpërndarjen e topit te shokët e ekipit, kjo falë rrezes së pasimit dhe vizionit.[177] Një lojtar që luante me të dyja këmbët, ai ishte i aftë për të përparuar në pozicione më të avancuara për të krosuar për shokët e ekipit. Ai gjithashtu zotëronte një gjuajte të saktë nga distanca. Gjatë viteve të fundit te Interi, ai formoi një partneritet të fuqishëm me brazilianin Maicon, gjithashtu mbrojtës, duke ndihmuar klubin të fitojë disa tituj.[176]
Zanetti e nisi karrierën si anësor ofensiv i djathtë,[177] por më pas u zhvendos në mesfushë, ku ai u bë një lojtar taktikisht inteligjent dhe i shkathtët, i cili ishte i aftë të mbulonte shumë pozicione në mesfushë dhe mbrojtje. Ai përdoreshe kryesisht si mesfushor i gjerë ose si mbrojtës në të dyja krahët, por ndonjëherë edhe në qëndër.[178] Ai gjithashtu ka luajtur si mesfushor mbrojtës ose qëndor,[178] dhe në disa raste ka pasur edhe rol të lirë në fushë, e njohur ndryshe si sweeper.[178] Në raste të rralla, Zanetti ka luajtur në pozicione më të avancuara.[178][173][176] Zanetti është vlerësuar për vendosmërinë, vazhdimësinë, intensitetin e punës, disiplinën, cilësi të cilat ai j'a atribuoi angazhimit të tij në seancat stërvitore.[179][180][181]
Në qershor 2014, presidenti i Interit Erick Thohir e vendosi Zanettin në pozicionin e zëvëndës-presidentit në një periudhë dy-vjeçare.[182] Megjithatë, ai nuk ishte pjesë e bordit drejtues.
Më 4 maj 2015, gjatë një ndeshje bamirësie në San Siro të organizuar nga vetë Zanetti për festimet e hapjes së Expo 2015 në Milano, Interi zyrtarisht tërhoqi fanellën me numrin 4 të Zanettit.[183]
Më 23 dhjetor 1999, Zanetti dhe Paula De la Fuente u martuan në Argjentinë pasi kishin shtatë vjet në një marrëdhënje. Ata u lidhën për herë të parë ku Zanetti ishte 19 vjeç dhe Paula 14 vjeç. Ata tashmë jetojnë në Como dhe kanë në pronësi një restorant të quajtur "El Gaucho" që ndodhet në Milano. Më 11 qershor 2005, gruaja e Zanettit lindi një vajzë që quhet Sol Zanetti. Pas lindjes së fëmijes Zanetti tha: "Unë jam shumë i lumtur për këtë vajzë, e cila ka ardhur në jetën time. Kjo ishte një përvojë e bukur me gruan time. Vajza ime do të ketë të gjithë lumturinë ajo e meriton." Zanetti gjithashtu ka edhe dy djem Ignacio dhe Tomas. Ignacio ka lindur në vitin 2008 kurse Tomas ka lindur më 9 maj 2009.
Mamaja e tij, Violeta Bonazzola, vdiq pas një sulmi në zemër vetëm disa orë pas triumfit të Interit në finalen e Kupës së Italisë 2011.[184] Ai ka publikuar dy autobiografi: Capitano e gentiluomo në vitin 2010 dhe Giocare da uomo në vitin 2013.[185][186]
Zanetti është një katolik i devotshëm. Pas zgjedhjes së Papa Françeskut, një argjentinas, në krye të Kishës Katolike, Zanetti u ftua në Vatikan për t'a takuar atë.[187][188]
"Duhet të pranoj se ajo që ndjej në këtë moment është veçanërisht një emocion për të gjithë ne argjentinasit. Unë nuk e njoh atë personalisht, por është një Papë që ka jetuar në Buenos Aires, shumë i përulur dhe gjithmonë i afërt me njerëzit tanë. Besimi është kaq i rëndësishëm në botë dhe ne të gjithë jemi afër. Pata fatin e mirë të takoja Papën Ratzinger dhe tani pres që të kem mundësinë për të përmbushur Papën e ri kombëtar, do të ishte një emocion i shkëlqyeshëm për mua dhe tërë familjen time. I uroj të gjitha të mirat dhe përsëri, për të gjithë ne si njerëz të Argjentinës është një ndjenjë e shkëlqyeshme."[189]
Zanetti është është shok i ngusht i holandezit Wesley Sneijder, me të cilin ka qënë shok skuadre në periudhën 2009–2013. Ishte ai që e bindi Sneijderin që të kthehet në katolik.[190]
Zanetti ka dhe një vëlla më të madh që quhet Sergio Zanetti që gjithashtu ka qënë futbollist dhe ka luajtur si mbrojtës.[191] Ai nuk ka lidhje me Cristiano Zanettin, një futbollist italian i cili luajti me të për pesë vite te Interi.[192]
Në vitin 2007, Zanetti bashkpunoi me këngëtaren italiane Mina për pjesën spanjolle të këngës "Parole parole", e gjetur në albumin Todavía.[193][194]
Zanetti ka treguar gjithashtu ndërgjegje sociale në përgjigje të krizës ekonomike të Argjentinës të vitit 2001, e cila hodhi në varfëri miliona njerëz. Zanetti, me gruan e tij Paula, krijuan Fundación PUPI në Argjentinë për integrimin shoqëror të fëmijëve të varfër.[195] Qëllimi i organizatës është të ndihmojë fëmijët që kanë mbetur të varfëruar nga kriza ekonomike e vendit duke u dhënë atyre mundësi arsimore, si dhe të kujdeset për kërkesat e tyre ushqimore.[196] Ai shpjegoi:
"Kur kujtojë fëmijërinë time, shumë skena konkrete më vijnë në mendje, të mira dhe të këqija. Kam pasur një fëmijëri të vështirë, dhe megjithëse nuk jetoj në vendin tim aktualisht, jam i vetëdijshëm për atë që po ndodh atje dhe efektin shkatërrues që ka ajo tek fëmijët tanë më të varfër. Unë gjithmonë kam besuar se veprimet tona publike duhet të marrin parasysh përgjegjësinë tonë sociale."
Zanetti, së bashku me bashkatdhetarin e tij Esteban Cambiasso, themeluan këtë shoqatë bamirësie për të ndihmuar trajnimin e fëmijëve të vegjël me probleme të izolimit social dhe vështirësi të koordinimit motorik.[197] Zanetti tha se "kjo frymë qëndron në themel të të gjitha nismave të Interit për të rinjtë:"[198]
"Gjithmonë duhet të ketë vlera në zemër të sportit, dhe kjo është ajo që duhet t'i mësojmë fëmijëve."
Klubi | Sezoni | Liga | Kupa | Kontinenti | Tjetër | Gjithsej | ||||||
---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|---|
Divizioni | Ndsh | Gola | Ndsh | Gola | Ndsh | Gola | Ndsh | Gola | Ndsh | Gola | ||
Talleres | 1992–93 | Primera División | 33 | 1 | — | 33 | 1 | |||||
Gjithsej | 33 | 1 | — | 33 | 1 | |||||||
Banfield | 1993–94 | Primera División | 37 | 1 | — | 37 | 1 | |||||
1994–95 | 29 | 3 | — | 29 | 3 | |||||||
Gjithsej | 66 | 4 | — | 66 | 4 | |||||||
Internazionale | 1995–96 | Serie A | 32 | 2 | 5 | 0 | 2[lower-alpha 1] | 0 | — | 39 | 2 | |
1996–97 | 33 | 3 | 5 | 1 | 12[lower-alpha 1] | 0 | — | 50 | 4 | |||
1997–98 | 28 | 0 | 4 | 0 | 9[lower-alpha 1] | 2 | — | 41 | 2 | |||
1998–99 | 34 | 3 | 5 | 0 | 9[lower-alpha 2] | 1 | 2 | 0 | 50 | 4 | ||
1999–00 | 34 | 1 | 8 | 1 | — | 1 | 0 | 43 | 2 | |||
2000–01 | 29 | 0 | 1 | 0 | 4[lower-alpha 1] | 0 | — | 34 | 0 | |||
2001–02 | 33 | 0 | 1 | 1 | 10[lower-alpha 1] | 1 | — | 44 | 2 | |||
2002–03 | 34 | 1 | 1 | 0 | 18[lower-alpha 2] | 0 | — | 53 | 1 | |||
2003–04 | 34 | 0 | 5 | 0 | 12[lower-alpha 3] | 0 | — | 51 | 0 | |||
2004–05 | 35 | 0 | 3 | 0 | 11[lower-alpha 2] | 0 | — | 49 | 0 | |||
2005–06 | 25 | 0 | 5 | 0 | 8[lower-alpha 2] | 0 | 1[lower-alpha 4] | 0 | 39 | 0 | ||
2006–07 | 37 | 1 | 4 | 0 | 8[lower-alpha 2] | 0 | 1[lower-alpha 4] | 0 | 50 | 1 | ||
2007–08 | 38 | 1 | 4 | 0 | 8[lower-alpha 2] | 0 | 1[lower-alpha 4] | 0 | 51 | 1 | ||
2008–09 | 38 | 0 | 4 | 0 | 8[lower-alpha 2] | 0 | 1[lower-alpha 4] | 0 | 51 | 0 | ||
2009–10 | 37 | 0 | 4 | 0 | 13[lower-alpha 2] | 0 | 1[lower-alpha 4] | 0 | 55 | 0 | ||
2010–11 | 35 | 0 | 5 | 0 | 8[lower-alpha 2] | 1 | 4[lower-alpha 5] | 1 | 52 | 2 | ||
2011–12 | 34 | 0 | 2 | 0 | 8[lower-alpha 2] | 0 | 1[lower-alpha 4] | 0 | 45 | 0 | ||
2012–13 | 33 | 0 | 4 | 0 | 11[lower-alpha 6] | 0 | — | 48 | 0 | |||
2013–14 | 12 | 0 | 1 | 0 | — | — | 13 | 0 | ||||
Gjithsej | 615 | 12 | 71 | 3 | 159 | 5 | 13 | 1 | 858 | 21 | ||
Gjithsej karriera | 714 | 17 | 71 | 3 | 159 | 5 | 13 | 1 | 957 | 26 |
Ekipi kombëtar | Viti | Ndsh | Gola |
---|---|---|---|
Argjentina | |||
1994 | 3 | 0 | |
1995 | 14 | 0 | |
1996 | 5 | 0 | |
1997 | 4 | 0 | |
1998 | 9 | 2 | |
1999 | 11 | 0 | |
2000 | 7 | 0 | |
2001 | 9 | 0 | |
2002 | 6 | 0 | |
2003 | 8 | 1 | |
2004 | 14 | 1 | |
2005 | 10 | 0 | |
2006 | 0 | 0 | |
2007 | 15 | 0 | |
2008 | 11 | 0 | |
2009 | 8 | 0 | |
2010 | 2 | 0 | |
2011 | 7 | 0 | |
Gjithsej | 143[lower-alpha 1] | 4 |
Nr. | Data | Vendi | Ndsh | Kundërshtari | Goli | Rezultati | Kompeticioni |
---|---|---|---|---|---|---|---|
— | 22 qershor 1995 | Estadio Malvinas Argentinas, Mendoza, Argjentinë | — | Sllovakia | 2–0 | 6–0 | Ndeshje miqësore |
1 | 14 maj 1998 | Estadio Mario Alberto Kempes, Córdoba, Argjentinë | 28 | Bosnja dhe Hercegovina | 3–0 | 5–0 | |
2 | 30 qershor 1998 | Stade Geoffroy-Guichard, Saint-Étienne, Francë | 34 | Anglia | 2–2 | 2–2 | FIFA Kupa e Botës 1998 |
3 | 8 qershor 2003 | Stadiumi Nagai, Osaka, Japoni | 70 | Japonia | 2–1 | 4–1 | Kupa Krirn 2003 |
4 | 9 tetor 2004 | El Monumental, Buenos Aires, Arjentinë | 88 | Uruguaji | 3–0 | 4–2 | Kualifikueset e FIFA Kupës së Botës 2006 |
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Every time you click a link to Wikipedia, Wiktionary or Wikiquote in your browser's search results, it will show the modern Wikiwand interface.
Wikiwand extension is a five stars, simple, with minimum permission required to keep your browsing private, safe and transparent.