Mevlana Xhelaludin Rumi
poet persian / From Wikipedia, the free encyclopedia
Xhelaluddin Muhammed Rumi (persisht: جلالالدین محمد رومی) ose Xhelaluddin Rumiu, i njohur edhe si Mevlana (persisht: مولانا, "Mjeshtri ynë"[1]), ishte një poet, jurist, dijetar islam, teolog dhe mjeshtër i sufizmit (përshpirtshmërisë islame) përgjatë shekullit XIII. Ka lindur më 30 shtator 1207 në Vahsh të Persisë[1] apo në Belh (në Afganistanin e sotëm) dhe ka vdekur më 17 dhjetor 1273 në Konja të Turqisë së sotme.
Poezitë e tij janë të shkruara në persisht dhe të përkthyera në shumë gjuhë të botës. Rumi ka jetuar në kohën e selxhukëve dhe ka shkruar, përveç se në persisht, edhe në arabisht, greqisht dhe në turqisht.
Poema Mathnawī (e njohur në shqip si Mesnevia), kompozuar në Konja, mund të konsiderohet një nga lavdet letrare më të pastra të gjuhës perse. Veprat e tij janë lexuar gjerësisht në gjuhën e tyre origjinale në gjithë Iranin e Madh dhe në botën persisht-folëse.[2][3] Përkthimet e veprave të tij janë shumë të njohura, sidomos në Turqi, Azerbajxhan, Shtetet e Bashkuara, dhe Azinë Jugore.[2] Poezia e tij ka ndikuar në letërsinë perse, por edhe turke, panxhabe, hindi, urdu si edhe në literaturat e disa gjuhëve indo-ariane përfshirë gjuhët çagatai, pashto, dhe bengali.