Nebi Caka
From Wikipedia, the free encyclopedia
Nebi Caka ka lindur më 1 mars 1946 në Prishtinë, doktor i shkencave teknike, studiues i diplomuar i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, shqiptarë nga Kosova.
Shkollën fillore dhe gjimnazin e ka kryer në vendlindje. Është diplomuar, më 1971, në Fakultetin e Elektroteknikës në Banjallukë (Universiteti i Sarajevës), në drejtimin Elektronikë dhe Telekomunikacion dhe, më 1979, në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Studimet pasuniversitare të magjistraturës shkencore nga lëmi i Shkencave Filologjike i ka mbaruar, më 1985, në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, kurse ato nga lëmi i Shkencave Teknike, drejtimi Elektronikë Profesionale dhe Radiokomunikime në Fakultetin e Elektroteknikës në Zagreb, më 1988. Më 3 shtator 2001 ka mbrojtur me sukses disertacionin e doktoratës, me titull “Zbatimi i procesimit optik të të dhënave për imazhimin dhe matjen e dukurive dinamike biomjekësore”, në Fakultetin e Elektroteknikës në Prishtinë, dhe ka fituar shkallën shkencore Doktor i shkencave teknike.
Më 06 janar 2007 fiton titullin Profesor i asocuar për lëndët “Mikroelektronikë” dhe “Optoelektronikë”, titull i dhënë nga komisioni i Këshillit të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Prishtinë.[1]