Sali Çekaj
From Wikipedia, the free encyclopedia
Sali Çekaj (22 Qershor 1956 – 19 Prill 1999) i njohur ndryshe me nofkën VETERANI ishte njëri nga komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së) dhe aktivist i madh i kombit shqiptar. Lindi më 22 qershor 1956 në fshatin Broliq të Komunës së Deçanit dhe ra dëshmorë më 19 prill 1999 në Koshare të rajonit të Gjakovës, gjatë luftimeve të ashpra me forcat serbe në mbrojtje të kufirit Kosovë–Shqipëri. Mori pjesë në Betejën e përgjakshme të Koshares, në Betejën e Loxhës dhe në disa beteja të Luginës së Baranit si komandant i Brigadës 134. Që nga viti 1991 ai organizoi me sukses sulme guerile ndaj stacioneve policore serbe në shumë fshatra të Rrafshit të Dukagjinit. Sali Çekaj ishte komandanti i parë i dy grupeve të para ushtarake që kishin kryer stërvitje ushtarake midis viteve 1990 dhe 1991 në Shqipëri. Pjesë e atyre grupeve ishin edhe Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti. Ai ishte gjithashtu një nga komandantët kryesorë të Betejës së Koshares dhe ishte kryehartuesi i gjithë planit të operacionit ushtarak të vijës luftarake në Betejën e Koshares. Pas luftës, ai u shpall Hero i Kosovës. Ai është nderuar edhe me "Flamurin e Kapitol Hill" si Heroi Kombëtar i Kosovës me miratimin e senatorëve amerikanë.
Sali Çekaj | |
---|---|
Pseudonimi/et | VETERANI |
Lindur më | 22 Qershor 1956 Broliq, Komuna e Deçanit, Kosovë |
Vdekur më | 19 Prill 1999 Koshare, Komuna e Gjakovës, Kosovë |
Në aleancë me | |
Vite shërbimi | 1991 – 1999 |
Grada | Komandant |
Njësia | Brigada 134 Brigada 138 |
Në komandë | Zona Operative e Dukagjinit, Kosovë |
Betejat/luftrat | Lufta e Kosovës |
Çmimet |
Sali Çekaj si udhëheqës i forcave të para ushtarake guerile të Dukagjinit me Adem Jasharin si udhëheqës të rajonit të Drenicës dhe Zahir Pajazitin udhëheqës të rajonit të Llapit, bashkëpunoi në sulmet guerile në stacionet policore serbe që nga viti 1991. Për shkak të veprimtarisë së tij paraushtarake ai kishte vështirësi të qëndronte në Kosovë dhe kërkohej nga policia serbe. Ai ishte jurist i diplomuar, ushtarak me karrierë dhe ishte avokati i parë në Kosovë që filloi zbatimin e “Kushtetutës së Kaçanikut” në institucionet e Kosovës në atë kohë.
Emri i Sali Çekut figuron në shumë aktivitete të lëvizjeve dhe organizatave politike që nga viti 1981 e tutje, kur ai u përfshi në demonstratat e asaj kohe. Gjatë vitit 1990, Sali Çeku kontribuoi intensivisht në zgjerimin dhe forcimin e rrjetit të shqiptarëve të angazhuar në lëvizjen për liri, si në Kosovë ashtu edhe në Evropë.
Veprimtari politik, ushtarak, organizator i mobilizimit dhe komandant në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Sali Çekaj rezulton të jetë një nga profilet më dimensionale në historinë e lëvizjeve për çlirimin e Kosovës nga Serbia.
Sali Çekaj ishte një figurë poliedrike, shumë dimensionale e cila ngërthen në vete të gjitha ato veti që rrallë herë në histori mund t'i gjeje të kompletuar te një personalitet udhëheqës të cilin e bëjnë të pranueshëm për të gjitha shtresat e shoqërisë. Tek Sali Çeku i gjeje vetitë e burrërisë tipike shqiptare, trimërinë, bujarinë, besnikërinë, dashurinë ndaj atdheut, familjes dhe shokëve. Te Sali Çeku gjeje juristin, politikanin, oficerin, guerilin dhe intelektualin e madh i cili dinte në mënyrën më unikate që të gjitha t'i fus në shërbim të çështjes madhore kombëtare. Figura e tij ka nevojë për një studim të mirëfilltë shkencorë adekuat.