Harry Potter
Seri librash e zhanrit fantazi nga shkrimtarja J. K. Rowling / From Wikipedia, the free encyclopedia
Harry Potter është një seri romanesh fantazi të shkruara nga shkrimtarja britanike, J. K. Rowling. Vëllimet, të emëruara pas personazhit kryesor, rrëfejnë aventurat e një magjistari të ri, Harri Poter, dhe miqve të tij, Ron Uezli dhe Hermionë Grenxhër, të cilët janë studentë në Shkollën e Magjisë dhe Shtrigërisë Hoguorts. Historia flet për përballjen e Harrit me magjistarin e errët, Lordin Fluronvdekje, i cili ka për qëllim të bëhet i pavdekshëm, të pushtojë botën e magjisë, të nënshtrojë njerëzit jo-magjistarë (Babanacët), dhe të vrasë të gjithë ata që mundohen ta pengojnë.[1]
Autor | Joanne K. Rowling |
---|---|
Titulli origjinal | Harry Potter |
Përkthyesi | Amik Kasoruho |
Ilustruesi |
|
Artisti i kopertinës |
|
Shteti | Mbretëria e Bashkuar |
Gjuha | Anglisht |
Zhanri | Fantazi, Dramë, Prozë letrare për të rinj, Mister, Melodramë, Novela rritjeje |
Shtëpia botuese |
|
botuar më | 26 qershor 1997 - 21 korrik 2007 (botimi fillestar) |
Publikuar në shqip më | janar 2002 - maj 2008 (botimi fillestar) |
Lloji i medias |
|
Numri i librave | 7 |
Faqja e internetit | Pottermore |
Që prej nxjerrjes së romanit të parë, Harry Potter dhe Guri Filozofal, më 30 qershor 1997, librat kanë fituar një popullaritet të pamasë dhe kritika të shumta pozitive, duke u kthyer në një sukses tregtar kudo në botë. Seria ka hasur gjithashtu disa kritika negative, duke përfshirë shqetësimin për tonin e errët të përdorur në të shkruar si dhe dhunën që paraqet. Vepra është përkthyer në 80 gjuhë të ndryshme dhe deri në shkurt të 2008-ës janë shitur rreth 500 milion kopje, duke e kthyer serinë e Harry Potter në një nga seritë e librave më të shitura në historinë botërore.[2] Katër librat e fundit kanë vendosur rekordin për librat e shitur më shpejt në histori, me gjithsej 11 milion kopje të shitura në Shtetet e Bashkuara vetëm në 24 orët e para që nga dalja ne treg.
Seria u botua në fillim në anglisht nga dy botues kryesorː Bloomsbury Publishing për Mbretërinë e Bashkuar dhe Scholastic Corporation për Shtetet e Bashkuara. Seria në shqip është botuar nga shtëpia botuese "Dituria", përkthyer nga Amik Kasoruho prej versionit italian fillimisht ndërsa 4 librat e fundit u përkthyen prej origjinalit në anglisht.[3] Harry Potter dhe Fëmija i Mallkuar, një dramë e shkruar nga Jack Thorne, J. K. Rowling dhe John Tiffany pati premierën e saj në Londër më 30 korrik, 2016. Skenari i saj u botua 1 ditë më vonë nga Little, Brown Book Group. Në shqip skenari u botua po nga e njejta shtëpi botuese rreth 1 vit më vonë, përkthyer nga Mira Kroqi nga origjinali.[4] Saga është përshtatur në një seri prej 8 filmash (libri i fundit ndahet në dy pjesë) nga Warner Bros. Pictures dhe është aktualisht seria e tretë më fitimprurëse e të gjitha kohërave deri në shkurt të 2008-ës. Në 2006-ën vlera në tërësi e të gjithë markës së Harry Potter u llogarit të ishte 25 miliard dollarë duke e bërë një nga markat më fitimprurëse të të gjitha kohërave.[5]
Harry Potter, një seri e disa zhanreve, duke përfshirë fantazinë, kalimin nga fëmijëria te mosha e rritur, dhe rrëfimin e jetës shkollore britanike (me elemente të misterit, thrillerit, aventurave dhe romancës), ka shumë kuptime kulturore dhe referenca.[6][7][8][9] Sipas Rowling, tema kryesore është vdekja.[10] Gjithashtu trajtohen dhe tema të ndryshme, si paragjykimi, korrupsioni dhe çmenduria.[11]
Suksesi i librave dhe filmave e ka lejuar markën e Harry Potter të zgjerohet, me vepra të ndryshme të rrjedhëse, mes zhvillimeve të tjera, ku përfshihet një ekspozitë lëvizëse që u hap në Chicago në 2009-ën, një ekspozitë studioje në Londër e quajtur Krijimi i Harry Potter që u hap në 2012[12], një platformë digjitale ku Rowling përditëson botën e Harry Potter me informacione të reja.[13] dhe një pentalogji filmash të vendosur në të njëjtin univers që nisën në nëntor të vitit 2016 me Krijesat magjike dhe ku t'i gjejmë ato[14]. Më së fundmi, parqe me tematikë nga Harry Potter, të njohura në tërësi si Bota Magjike e Harry Potter, janë ndërtuar në disa parqe zbavitëse Universal Parks & Resorts anembanë botës.[15]