Petro Zheji
From Wikipedia, the free encyclopedia
Remove ads
Petro Zheji (16 tetor 1929 - 14 Mars 2015)[1] ka qenë ndër plejadën e përkthyesve shqiptarë përgjatë regjimit komunist, mes Dhimitër Paskos, Jusuf Vrionit, Klio Evangjelit dhe Vedat Kokonës.[2] Ka qenë vëllai i vogël i pedagogut, studjuesit dhe njeriut të letrave Gjergj Zheji. Sipas Elsie-t përveçse përkthyes i admiruar i Aragonit, Asturiasit, Servantesit, Gonçarovit dhe Shashës, ai ka lënë dorëshkrim romanesh me temë të burgosur në spitalet psikiatrike në Shqipëri, një autobiografie dhe një monografie në gjuhën shqipe.[3]
Për kontributet e tij u nderua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin "Nderi i Kombit" si dhe njëra nga bibliotekat e lagjeve të Tiranës mban emrin e tij.
Pas rënies së regjimit komunist, Zheji u mor me hulumtime vetjake duke kultivuar teori alternative gjuhësore. Rezultati i kësaj pune ishin veprat e tij për të provuar se si shqipja është «Roli mesianik i Shqipes»,[4] «Shqipja dhe Sanskritishtja[5] si dhe përmes "algoritmeve simbolike" si mjet për të kuptuar të menduarin mitologjik të shkencave humane.[6]
Remove ads
Biografi
U lind në Gjirokastër, i biri Spiro Ballos (Zheji i Zagorisë, 1903 - Tiranë, 1989) dhe i Theodorës, gjirokastritë. Familja pati dy djem dhe tri vajza: Gjergji, Petro, Vera, Amalia dhe Liljana.[7] I ati pasi punoi në një hotel-restorant, bëri kërkesë dhe iu pranua që të ndiqte shkollimin ushtarak në Modena në vitet e monarkisë, u gradua më vonë si major me shërbim dhe jetesë në Tiranë. Në një bibliografi që pasqyron një libër që ka qenë i të atit të Petros, jepet grada dhe banesa, Ajutanti i Kumandës fuqisë Armate Tiranë. Ndë rrugë të Durrësit.[8] I ati u internua njëherë u burgos në Bari dhe më pas u internua në Gazzoldo degli Ippoliti. Nuk e përfilli thirrjen për t'iu bashkuar LNÇ, arsye për të cilën e burgosën te burgu i Selvisë shkurtimisht,[9] ia sekuestruan shtëpinë dhe e larguan nga Tirana drejt Zhejit, fshtatit të prejardhjes. Ndërsa i ati i tij, Kolo Ballo kishte qenë Kryetar i Këshillit Popullor të fshatit Zhej, si dhe anëtar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të krahinës së Zagorisë.[7]
Petrua studjoi për Matematikë-Fizikë në nivel dy vjeçar në Tiranë, mirëpo u diferencua për të bërë shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Ersekë ku dhe u jepte mësim kuadrove matematikë dhe rusisht.[10] si dhe dha mësim në gjimnazin "Qemal Stafa",[11] dhe dikur më vonë në atë e Gjirokastrës. Punoi po ashtu si përkthyes me normë dhe redaktor pranë shtëpive botuese "8 nëntori" dhe "Naim Frashëri" në kryeqytet. U martua me aktoren gjakovare Besa Imami, martesë nga e cila më 1961 u lind djali i vetëm, Arturi.[10] Megjithë përndjekjen që rregjimi komunist u bëri besimeve fetare, Petro Zheji ndiqte në mënyrë të fshehtë ritet fetare të besimit të tij në një bashkësi të fshehtë të drejtuar nga Atë Kozma Qirjo, një nga priftërinjtë e paktë ortodoksë që vazhdonte të ushtronte riret fetare, në kundërshtim me ligjet e kohës, të cilat i ndalonin të gjitha format e praktikimit të fesë.[12] Pas 15 vjetësh martesë, Petro dhe Besa u ndanë.[10][13] Në nëntor 1990 emigroi në Romë me të birin dhe më pas u zhvendos drejt ShBA-së, ku u vendos në Detroit.[1] Me kthimin e tij vendoset në Tiranë, ku duke iu çmuar kontributi i tij në lëmijtë e përkthimit.[10]
Kur ndërroi jetë u nderua nga kryeministri, kryetari i parlamentit si dhe kryetari i bashkisë Tiranë.[6]
Remove ads
Përkthime
Botuesi i përkthimit të tij Jeta e Galileit e Brehtit, Mehmet Gëzhilli ka kumtuar se Zheji mund të ketë "13 mijë faqe përkthim të botuara". Përkthimi i tij i parë i botuar daton më 1958 dhe ka qenë vëllimi i parë i romanit Bruski të Fedor Panferov - përkthyer së bashku me të vëllanë, Gjergjin.[14] Titujt të tjerë të shquar qenë Vuajtjet e djaloshit Verter i Gëtes, Sojliu mendjemprehtë - Don Kishoti i Mançës i Servantesit, Nipi i Ramonit i Dideroit, Vilet e zemërimit i Stajnbekut, Njeriu i padukshëm i Uellsit; si dhe shumë e shumë tituj tjerë nga letërsia gjermane, spanjole, australiane, estoneze, rumune, ruse, kineze, nordike. Duke u radhitur me emrat e tjerë elitarë të përkthimit si Dhimitër Pasko, Klio Evangjeli, Jusuf Vrioni, Vedat Kokona, Gjon Shllaku, Pashk Gjeçi, etj.[10]
Përkthyesja amerikane e veprës Rrno vetëm për me tregue, Kathleen Schank, e ka falënderuar për ndihmën që i ka dhënë për prurjen në anglisht të dëshmisë së Atë Zef Pllumit.[15] Përpjekje kjo që Zheji e kishte ndërmarrë qysh në të gjallë të fratit.[16]
Remove ads
Vepra
Zheji ishte autor i disa veprave studimore, njëri prej të cilëve me temë të burgosurit në spitalet psikiatrike në Shqipëri, një autobiografi dhe i një monografie mbi gjuhën shqipe.[1] Nga punimet e tij mbi shqipen kemi Shqipja dhe Sanskritishtja (në dy vëll.; 1996, rib. i rishikuar 2005, 2011), Libri i Aforizmave (2012) dhe Roli mesianik i shqipes (2015). Këto punime kanë frymëzuar edhe të tjerë që shpesh herë bien në një sërë teorish konspirative.[6]
Shumë rrallë të refuzuara nga politika, mediat dhe elita akademike shqiptare,[6] së fundmi gjuhëtari dhe shkrimtari Ardian Vehbiu i cilëson teoritë e Zhejit "jashtë diskursit linguistik", të pambështetura tek asnjë gjuhëtar tjetër, qoftë albanolog, komparativist apo indoeuropeist; por sipas tij teoritë kanë lidhje me misticizmin, simbolizmin mistik dhe filozofi alternative.[17]
Referime
Wikiwand - on
Seamless Wikipedia browsing. On steroids.
Remove ads